Postimi i plotë…
Vlerësova me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, zotin Qani Sadiku, një nga qëndrestarët heroikë dhe të papërkulur kundër dikaturës komuniste, “Në shenjë vlerësimi për shpirtin e pamposhtur dhe sakrificën në mbrojtje të idealit të shqiptarëve për liri, demokraci, shtet të drejtë dhe jetë me dinjitet. Për kontributin si veprimtar dhe drejtues shoqëror në mbrojtjen e të drejtave të shtresës së ish-të përndjekurve politikë në Shqipëri”.
Si Kreu i Shtetit kam nderin dhe njëkohësisht detyrimin për të lartësuar në panteonin e historisë të gjithë shtresën e ish-të përndjekurve politikë prej regjimit monist që u mori jetët dhe i zvarriti në një kalvar të tmerrshëm vuajtjeje në burgje, internime, punë skllavëruese dhe mohim të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor.
Shoqëria shqiptare me gjithë hapat pozitivë të viteve të shkuara ka ende shumë për të bërë për shërimin dhe rivlerësimin shpirtëror e financiar të përfaqësuesve të kësaj shtrese. Brezi i ri i lirisë nuk duhet dhe nuk do ta lejojë rilindjen e metastazave të diktaturës, qofshin këto të shfaqura edhe si elemente të autoritarizmit dhe deformimit të demokracisë.
Kurrë më shqiptarët nuk do të pranojnë rikthim në diktaturë!