Presidenti Meta uron shqiptarët për Pashkët: E mira do të triumfojë

780
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vizitoi sot Qendrën Sinodike të Katedrales Ortodokse “Ringjallja e Krishtit” ku u prit nga Fortlumturia e Tij, Kryepeshkop Anastasi.
Presidenti Meta i përcolli personalisht Fortlumturisë Tij, Kryepiskopit Anastas urimet e përzemërta dhe më të mira për gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së shenjtë të Pashkëve ortodokse.
Pas vizitës Presidenti Meta u shpreh për median: “Në këtë ditë mjaft të rëndësishme të këtij mesazhi të jashtëzakonshëm në emër të dashurisë për jetën, për njerëzit, të ngjalljes së Krishtit, të besimit se e mira gjithmonë do të triumfojë, u uroj të gjithëve mbarësi, u uroj të gjithë mirësi, u uroj më shumë dashuri midis shqiptarëve dhe jam besimplotë se duke e shpërndarë këtë mesazh, se nuk ka gjë më të rëndësishme në botë se sa dashuria, sa dashuria për jetën, sa dashuria për njerëzit, jam i sigurt se të gjithë do të marrim forcën e duhur për të përballuar sfidat dhe vështirësitë në një mënyrë edhe më optimiste, edhe më të bashkuar”, – u shpreh Presidenti Meta.
Sigal