Presidenti Meta: Rreziku i frikësimit të votuesve dhe i shit-blerjes së votës është kërcënues, prandaj të gjithë bashkë, duhet të bëhen barrikadë

Deklaratë e Presidentit të Republikës, për nismën  “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”

 

Sigal

Të nderuar qytetarë,

 

Është kënaqësi dhe përgjegjësi që të jem sot këtu me ju në qytetin e Durrësit, dhe të theksoj edhe njëherë arsyen, motivet dhe rëndësinë e shpalljes së nismës sime më të fundit si President i Republikës prej dy ditësh, “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”.

 

Nga sot na ndajnë vetëm 4-javë nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit. Prandaj i ftoj të gjithë qytetarët e Durrësit, Tiranës, Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë, t’i bashkohen nismës “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, ku çdo qytetar duhet dhe mund të denoncojë dhe të demaskojë çdo veprim që përbën shkelje të së drejtës themelore së votës dhe që minon procesin zgjedhor dhe besimin tek zgjedhjet e lira.

 

Krimi zgjedhor, godet dhe dhunon vullnetin e zgjedhësit, instalon autokracinë dhe minon demokracinë, duke përdhosur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, të drejtat, liritë dhe vlerat universale, që mbrohen prej saj, ku çdo e drejtë buron pikërisht nga vota e lirë, nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

 

Rreziku i frikësimit të votuesve dhe i shit-blerjes së votës është i pranishëm dhe kërcënues.

 

Prandaj të gjithë bashkë, duhet të bëhen barrikadë për të ndalur një herë e mirë, këto veprime të shëmtuara dhe të papranueshme për një vend demokratik!

 

Ne duhet denoncojmë hapur dhe pa hezitim çdo krim zgjedhor, për këtë arsye i kam hapur rrugë kësaj nisme, për të realizuar  një procesi zgjedhor sa më transparent, sa më të qetë dhe sipas standardeve evropiane; për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore kushtetuese ku e drejta e votës është ajo më kryesore.

Prej dy ditësh kemi vendosur në dispozicion të gjithë qytetarëve një dritare të re të mbrojtjes së votës së lirë, me moton ‘Denonco Krimin Zgjedhor’.

 

Kjo dritare shfaqet në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës dhe çdokush mund të denoncojë, çdo fenomen negativ që ka lidhje me procesin zgjedhor nga kushdo.

 

I ftoj të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë të mos hezitojnë, të mos tremben, por me kurajo të denoncojnë në mënyrë të dokumentuar, me çdo mjet të mundshëm, më zë dhe me figurë.

 

Çdo veprim të kundra ligjshëm, ku përfshihet çdo lloj veprimi që përbën kanosje, apo dhunim të zgjedhësve, apo subjekteve zgjedhore, apo çdo shkelje që i bëhet të drejtës së votës së qytetarëve.

 

Çdo veprim, që synon frikësim, apo pengimin e ushtrimit  të drejtave nga subjektet zgjedhore gjatë këtyre zgjedhjeve.

Të denoncojnë  çdo falsifikim që mund të tentohet t’i bëhet materialit zgjedhor apo rezultatit të zgjedhjeve.

 

Të denoncohet çdo veprim, që synon të dëmtojë materialet zgjedhore.

 

Të denoncohet çdo veprim apo mosveprim, që dhunon votimin e fshehtë.

 

Të denoncohet çdo përpjekje apo veprim, që synon votimin më shumë se një herë.

 

Të denoncohet çdo veprim që synon korrupsionin aktiv apo pasiv në zgjedhje.

 

Të denoncohet çdo tentativë apo përdorim i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore.

 

Të denoncohet çdo lloj veprimi që synon pengimin e zgjedhësit në votime.

 

Të denoncohet çdo shkelje e së drejtës së zgjedhjes.

 

Të denoncohet çdo veprim, që synon të tërheqë apo të përdorë në mënyrë të paligjshme dokumentet e identifikimit të personave të tjerë.

 

Të denoncohet pa hezitim, çdo anëtar i Forcave të Armatosura apo i Policisë së Shtetit, i cili shpërdoron detyrën, duke u angazhuar politikisht, apo duke mbështetur me veprimet dhe mos veprimet e tij një forcë të caktuar politike.

 

Denonconi dhe demaskoni çdo gjë, që ju duket e parregullt, e paligjshme, e pamoralshme, që tenton të frikësojë dhe manipulojë zgjedhësit, që kërkon të minojë zgjedhjet, procesin e votimit, votën e lirë dhe vullnetin e sovranit.

 

E thërras këtë Aleancë me qytetarët, me moton “DENONCO KRIMIN ZGJEDHOR”, për të sensibilizuar ,mbështetur, nxitur dhe përkrahur drejtpërdrejt çdo qytetar, apo dhe funksionar publik të përgjegjshëm, që të denoncojë çdo veprim të paligjshëm në organin e Prokurorisë, në Komisionin Zgjedhor të Zgjedhjeve, por edhe tek Presidenti i Republikës, me qëllim që askush të mos i shmanget drejtësisë dhe çdokush të vihet përballë përgjegjësisë sipas ligjit.

 

Përmes kësaj Aleance, ne bashkë do të garantojmë në mënyrë të padiskutueshme, se kushdo që tenton të prekë votën e lirë, nuk do të ketë shpëtim, do te ketë ndëshkim të mrekullueshëm, spektakolare, siç e meriton një armik i Republikës.

 

 

 

Kush prek votën e lirë është armik i Republikës së Shqipërisë.

 

Degradimi i zgjedhjeve sipas modeleve të Shijakut, Dibrës, etj, na ka lënë këtu.

 

Jemi aq mbrapa,  sa të ëndërrojmë zgjedhje si në Kosovë apo si në Maqedoninë e Veriut.

 

Duke mbetur peng  në këtë mënyrë i çeljes së negociatave më Bashkimin Europian, kur Mali i Zi i ka çelur në vitin 2012 dhe Serbia në 2014.

 

Ndërsa ne, në rast se nuk arrijmë, por do të arrijmë patjetër me hir a me pahir, që të garantojmë triumfin e demokracisë dhe të popullit shqiptar në 25 prill, ky proces do të shkonte pafund.

 

Mos të harrojmë që në vitin 2006, Shqipëria ka qenë para Malit të Zi, Serbisë dhe shumë vendeve të tjera,  pasi marrëveshjes e stabilizim asociimi e kishte firmosur shumë para tyre.

 

Kushtetuta parashikon se e drejta themelore për të zgjedhur dhe respektimi i parimit të pluralizmit politik, janë bazat e funksionimit të shtetit tonë dhe secili prej nesh ka për detyrë t’i respektojë dhe t’i mbrojë këto parime.

 

Presidenti i Republikës, do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për trajtimin e çdo denoncimi, dhe bërjen publike të fakteve që lidhen me ndërhyrjet e paligjshme në procesin zgjedhor.

Vetëm përmes garantimit të ushtrimit të së drejtës themelore të votës dhe realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë krizës së legjitimitetit, lëngimit në një tranzicion pa fund.

 

Krizës së përfaqësimit, që ka përfshirë institucionet kryesore të shtetit tonë, vetëm në këtë mënyrë do të zhbllokojmë çeljen e negociatave me Bashkimin Europian dhe do të garantojmë, se do të qeverisemi sipas vullnetit real të sovranit.

 

 

 

Në mënyrë që pas 25 prillit, qeveria të ketë frikë nga populli.

 

Presidenti i Republikës është i hapur dhe i vendosur të bashkëpunojë me të gjitha institucionet shtetërore përgjegjëse, me të gjitha subjektet garuese pa asnjë përjashtim, me shoqërinë civile, organizatat ndërkombëtare dhe të gjithë ata, të cilët janë të interesuar dhe kanë për detyrë mbarëvajtjen apo monitorimin e procesit zgjedhor.

 

Me qëllim, për të garantuar se çdo fenomen negativ, që përbën vepër penale, të evidentohet, regjistrohet dhe të hetohet brenda një afati sa më të shpejt.

 

Të nderuar qytetarë,

 

Këto zgjedhje janë të lidhura drejtpërdrejt me të ardhmen tonë europiane dhe kanë një rëndësi mbarëkombëtare.

 

Unë jam i  bindur dhe i palëkundur, se ne të gjithë bashkë,  do mund të hapim një faqe të re për 100 vitet që vijnë në Republikën e Shqipërisë.

 

Dy gjëra nuk mund të preken kurrën e kurrës:

 

  1. Vota e lirë dhe e barabartë.
  2. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

 

Vetëm këto garantojnë mbrojtjen e të drejtave kushtetuese të qytetarëve shqiptarë çdo ditë.

 

Në këtë nisëm të re, ftoj të gjithë shqiptarët për të “DENONCUAR KRIMIN ZGJEDHOR”, nën moton: “Të mbrojmë zgjedhjet, të mbrojmë pluralizmin, të mbrojmë demokracinë dhe të mbrojmë të ardhmen europiane të Shqipërisë, që për fat të keq është vënë në pikëpyetje”.

 

Për të gjitha ata, që ende nuk e kanë të qartë situatën, dhe të mos thonë nesër, se nuk e dinim se cilat ishin figurat e krimit zgjedhor..

 

Po ju paraqes 15-figurat e krimit zgjedhor, që parashikon Kodi Penal:

 

  1. Pengimi i subjekteve zgjedhore (neni 325 i Kodit Penal)
  2. Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe rezultateve të zgjedhjeve (neni 326 i Kodit Penal)
  3. Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor (neni 326/a i Kodit Penal)
  4. Shkelja e fshehtësisë së votimit (neni 327 i Kodit Penal)
  5. Votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar (neni 327/a i Kodit Penal)
  6. Korrupsioni aktiv në zgjedhje (neni 328 i Kodit Penal)
  7. Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore (neni 328/a i Kodit Penal)
  8. Korrupsioni pasiv në zgjedhje (neni 328/b i Kodit Penal)
  9. Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje(neni 329 i Kodit Penal)
  10. Pengimi i zgjedhësit (neni 330 i Kodit Penal)
  11. Braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve(neni 330/a i Kodit Penal)
  12. Shkelja e së drejtës së zgjedhjes (neni 331 i Kodit Penal)
  13. Marrja ose përdormi i paligjshëm i dokumenteve të identifikimit (neni 331/a i Kodit Penal)
  14. Shpërdorimi i autoritetit ushtarak (neni 332 i Kodit Penal)
  15. Shpërdorimi i autoritetit policor (neni 332/a i Kodit Penal)