Vjedhja e thesarit të bankës, Fullani urdhëron ngritjen e dy komisioneve

517
Sigal

TIRANE– Pas arrestimit të dy punonjësve të kasafortës së Qendrës së Emisionit të Monedhës në Linzë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani ka urdhëruar dhe ngritur dy komisione pune, për të evidentuar saktësisht shumën e parave të vjedhura. Puna e këtyre dy komisioneve pritet të përfundojë brenda javës, ku edhe do të dorëzojnë në prokurori raportin përfundimtar të inventarizimit të parave që ndodhen në kasafortë dhe shumën e vjedhur. Mësohet se njëri nga komisionet po verifikon të gjitha kutit me paratë që duheshin asgjësuar dhe komisioni tjetër po evidenton shumat e parave që vinin nga fabrika e prodhimit në Zvicër. Sipas këtyre ekspertëve, paraprakisht janë konstatuar 6 pako të hapura, nga të cilat mendohet se Bitraj ka tërhequr shuma të mëdha parash. Çdo pako, sipas hetuesve, mbante brenda saj shumën prej 1 miliard lekësh dhe me përfundimin e kontrollit do të nxirret edhe shuma konkrete e parave që mungojnë.