Presidenti Meta reagon për vrasjen e policit në Lezhë: Autorët sa më parë para drejtësisë

184
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vrasjen në krye të detyrës së oficerit të krimeve në Lezhë, Saimir Hoxha.

Meta përmes një postimi në rrjetin social shkruan se është i pikëlluar nga ky lajm dhe kërkon që drejtësia të vërë para përgjegjësisë autorët e kësaj ngjarje të rëndë.

Kreu i shtetit thekson se lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë.

Ndërkohë dyshohet se autori I kësaj ngjarje është Aldo Rama 21 vjeç nga Elbasani. Efektivi u qëllua paraditen e sotme në zonën e Vainit në Lezhë, ku ai ndodhej në krye të detyrës në terren për parandalimin për kultivimin e lëndëve narkotike. Dyshohet se plumbi e ka kapur në zemër.

Postimi i Metës:

Thellësisht i tronditur nga ngjarja tepër e rëndë e vrasjes, në krye të detyrës, të zyrtarit të lartë të Policisë së Shtetit, Saimir Hoxha, gjatë një operacioni kundër kultivimit të lëndëve narkotike në zonën e Lezhës.
Në këto momente të vështira bashkëndaj dhembjen dhe ju shpreh ngushëllimet më të thella familjes, kolegëve dhe të gjithë punonjësve të Policisë së Shtetit!

Nxis organet ligjzbatuese, në veçanti Prokurorinë për hetimin e rrethanave dhe intensifikimin e përpjekjeve për kapjen sa më parë të autorëve të këtij akti kriminal, për t’i nxjerrë ata para drejtësisë dhe dhënien e një ndëshkimi të ashpër ligjor.

Lufta kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe kanabizimit të Shqipërisë, që ka dëmtuar seriozisht vitet e fundit imazhin e vendit dhe ka marrë aq shumë jetë njerëzish, duhet të jetë një prioritet absolut dhe të mbështetet nga të gjithë!