Ballkani i Hapur/ Ursula von der Leyen: Mirëpresim çdo nismë brenda Procesit të Berlinit

191
Sigal

Presidentja e Komisionit Europian duke iu referuar “Ballkanit të Hapur” ka deklaruar se mirëpresin çdo nismë që brenda kuadrit të Procesit të Berlinit.

Në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama, Von der Leyen tha se nuk duhet të fokusohen me imtësi tek fjalët, por procesi duhet të jetë i hapur.

“Unë mendoj që po të shikojmë ecurinë ekonomike si edhe thellimin marrëdhënieve ekonomike, edhe ky treg i përbashkët rajonal, mendoj se procesi i Berlinit është kuadri që po përdoret. Si kuadër që të gjashta vendet e rajonit do të përfitojnë. Çfarë do lloj iniciative që është brenda procesit të Berlinit që është bashkëpunuese mirëpritet prej nesh.

Nuk duhet të shikojmë me imtësi fjalët, por kontekstin, të jetë proces i hapur dhe gjithëpërfshirës. Që të ketë një integrim të thellë sepse kjo është pjesë procesit,” deklaroi ajo.

E pyetur më tej nga gazetarët se është për “Ballkanin e Hapur” apo Procesin e Berlinit, Presidentja e KE sqaron se mund të ketë iniciativa, por duhet të jenë të gjitha shtetet të përfshira dhe të realizojnë objektivat e përbashkëta.

“Procesi i Berlinit ka filluar tashmë por edhe në mënyrë që të ketë një integrim të tregut të përbashkët. Ju keni edhe angazhimin tim. Mund të ketë iniciativa, por duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të respektojnë objektivin e përbashkët të integrimit të tregut të përbashkët. Kështu do të kenë edhe mbështetjen time të plotë,” u shpreh Von der Leyen.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama thotë se nuk bëhet fjalë për dy procese të ndryshme. Sipas tij, Procesi i Berlinit udhëhiqet nga partnerët dhe “Ballkani i Hapur” drejtohet nga vetë protagonistët e këtij projekti në Ballkan.

“Ky nuk është një proces i dytë që konkurron me të parin, apo që bie ndesh me të parin. Ballkani i Hapur shqip fare mund të quhet i zoti e nxjerr Ballkanin nga balta.

Procesi i Berlinit është iniciuar nga kancelarja dhe përqafuar nga BE, por nuk ecën dot me ritmin që ne duam në rast se ne nuk marrim përsipër ta shtyjmë përpara, por vetëm presim ta shtyjmë nga Berlini apo Brukseli. Është i njëjti proces. I vetmi ndryshim është që Procesi i Berlinit e udhëheqin miq dhe partnerët tanë që kanë halle të tjera dhe nuk çohen në mëngjes me pyetjen si po ecën procesi.

Gjermania, Franca, Europa kanë shumë gjëra të tjera përpara se të mendojnë për Ballkanin, ndërkohë që ne këtu jemi.

Në fund të ditës pyesim çfarë bëmë sot për këtë punë. Ndërkohë që për miqtë tanë është projekt i rëndësishëm, por jo projekt për të cilin punojnë gjithë ditën. Mbi të gjitha principet e përcaktuara nga procesi i Berlinit ne të shtyjmë përpara dhe të realizojmë defakto ato që thuhen. Ajo që ndodh është shkojmë nga samiti në samit dhe progres nuk ka.

U bënë pak nga pak 8 vjet që ka nisur, akoma ne kemi një mur me barriera jotarifore. Akoma nuk kemi njësimin e dokumentave që u duhen eksportuesve për të mos qëndruar në kufi,” deklaroi kryeministri.