Presidenti Meta në Manastir, shikon në origjinal librin e parë në gjuhën Shqipe

318
Sigal

Ditën e sotme Presidenti Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë në Manastir, në Maqedoninë Veriore.

Gjatë takimeve, presidenti ka vizituar edhe bibliotekën e Manastirit të Shën Gjon Pagëzorit në Mbigur ku është njohur me Dhiatën e Re të përkthyer në Shqip nga Kostandin Kristoforidhi.

POSTIMI:

Shumë i lumtur, që në bibliotekën e jashtëzakonshme të Manastirit të Shën Gjon Pagëzorit në Mbigur, të shihja për herë të parë në origjinal, Dhiatën e Re, të përkthyer në shqip me gërma latine, në vitin 1872, nga Konstandin Kristoforidhi, një nga figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare.

Ky libër, pavarësisht përmbajtjes fetare, ka një domethënie të madhe historike për ne shqiptarët, sepse është një pararendës i gjuhës letrare shqipe, që do të shkruhej me Alfabetin e njehsuar, të miratuar dekada më vonë në Kongresin e Manastirit.

E falënderova përzemërsisht vëllazërinë e murgjëve të këtij manastiri, që kujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe shpirtërore në rajon, pavarësisht përkatësisë kombëtare.

Mirënjohje për At Dositej, i cili më shoqëroi në këtë vizitë dhe në veçanti për faktin se e fliste shumë mirë gjuhën shqipe.