Ditën e sotme, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekoruar me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, dy notaret e shquara Natasha Samin dhe Sofi Mingon.
“Rekordmene dhe kampione të shquara të notit me ‘Butrintin’ dhe Ekipin Kombëtar, me rezultate të larta të arritura edhe në garat ndërkombëtare, ato u bënë modele frymëzimi, përkushtimi dhe sakrifice njerëzore, për shumë shokë e shoqe në Shtëpinë e Fëmijës, duke përcjellë përherë mesazhin inkurajues dhe optimizmin, se vetëm me vullnet dhe me pasion, të gjitha pengesat janë të kapërcyeshme, pavarësisht vështirësive që të sjell jeta.”,- është shprehur Presidenti Meta në një mesazh të tijin të shpërndarë në faqen e tij zyrtare në ‘Facebook’.
Mesazhi i plotë i Kreut të Shtetit:
Zonjat e nderuara Natasha Sami dhe Sofi Mingo, janë shembulli më i mirë, se si fëmijët në Shtëpinë e Fëmijëve Shkollorë “Vangjel Pulla” në Sarandë, janë mbështetur në zhvillimin e aftësive dhe talenteve të tyre, duke u integruar në shoqëri dhe shkëlqyer në fushat, që zgjodhën në jetë.
Rekordmene dhe kampione të shquara të notit me ‘Butrintin’ dhe Ekipin Kombëtar, me rezultate të larta të arritura edhe në garat ndërkombëtare, ato u bënë modele frymëzimi, përkushtimi dhe sakrifice njerëzore, për shumë shokë e shoqe në Shtëpinë e Fëmijës, duke përcjellë përherë mesazhin inkurajues dhe optimizmin, se vetëm me vullnet dhe me pasion, të gjitha pengesat janë të kapërcyeshme, pavarësisht vështirësive që të sjell jeta.
Për kontributin e vyer për zhvillimin cilësor të notit shqiptar dhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura, pata nderin t’i vlerësoj me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Duke ndjekur shembullin e tyre, me përkrahjen e shoqërisë dhe dorën e ngrohtë të shtetit, i ftoj të gjithë fëmijët pa kujdes prindëror t’i shfrytëzojnë hapësirat dhe mundësitë për të realizuar ëndrrat, shpalosur aftësitë dhe potencialin e talenteve të tyre, duke u bërë jo vetëm pjesë aktive e shoqërisë sonë, por edhe shembuj të suksesit në çdo fushë.
NEVER STOP DREAMING!