Presidenti Begaj së bashku me Zonjën e Parë merr pjesë në eventin “Gusht e n’Fest” në Gramsh

47
Sigal

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, së bashku me Zonjën e Parë Armanda Begaj, morën pjesë në çeljen e eventit “Gusht e n’Fest” në qytetin e Gramshit. Me këtë rast, Kreu i Shtetit mbajti dhe një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit, ku e konsideroi “Gusht e n’Fest” si një mundësi promovimi për potencialin turistik të Gramshit. “Dua që së bashku me ju ta përcjell këtë festë të bukur tuajën te çdo familje shqiptare” – tha në fjalën e tij Presidenti.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Gramshi i ka të gjitha kushtet për të zhvilluar edhe më tej turizmin e qëndrueshëm, një turizëm që teksa ofron më të mirën për vizitorët e bën këtë duke mbajtur parasysh perspektivën e zhvillimit të zonës, duke respektuar natyrën, traditat, e mbi të gjitha komunitetin.

Në aktivitetet e organizuara përgjatë “Gusht e n’Fest” është dhe panairi i kulinarisë dhe artizanëve. Prodhimet vendase të zonës janë jo vetëm pjesë e pasurisë kulinare të Gramshit, por edhe një pikëtakim mes trevave shqiptare.

Duke vlerësuar panairin, Presidenti Begaj u shpreh: “Jemi sot këtu gjithashtu në këtë nismë kaq interesante të Bashkisë së Gramshit për të promovuar zejet dhe punimet artizane te zonjave duararta gramshiote. Për ne, mbështetja e trashëgimisë kulturore nënkupton promovimin dhe vënien në dukje të rëndësisë së saj”.

Për Kreun e Shtetit është e rëndësishme jo vetëm njohja e traditës kulinare, agroturistike apo kulturore, por edhe ruajtja, vlerësimi dhe nxitja që ajo të mos humbasë dhe të përcillet te brezat e rinj.

Përgjatë qëndrimit në qytetin e Gramshit, Presidenti Begaj së bashku me Zonjën e Parë u përfshinë në një sërë aktivitetesh të organizuara me rastin e “Gusht e n’Fest”. Pjesë e vizitës së Presidentit ishin edhe Kanionet e Holtës.

Presidenti Begaj u shoqërua gjatë vizitës në Gramsh nga Kryetari i Bashkisë së qytetit, z. Besion Ajazi.