Prerja e paligjshme e pyjeve, kapen dy persona në Kepin e Rodonit

233
Sigal

Manëz, Durrës

Kapen në flagrancë në Kepin e Rodonit dhe procedohen penalisht 2 shtetas, për prerje të paligjshme të pyjeve.

Sekuestrohen lëndë drusore e prerë në mënyrë të paligjshme dhe dy motosharra.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Manëz, bazuar në njoftimet e marra në rrugë operative se disa persona ishin duke prerë pemë në mënyrë të paligjshme, në Kepin e Rodonit, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë kapur në flagrancë shtetasit:

A. Z., 53 vjeç, banues në Shetaj, Durrës, i cili dispononte një motosharrë për prerje të pemëve dhe një automjet për transportin e tyre.

G. V., 32 vjeç, banues në Ndraç, Durrës, i cili u kap në flagrancë në Kepin e Rodonit, duke transportuar lëndë drusore me automjet. Edhe këtij shtetasi iu gjet një motosharrë me të cilën kishte prerë në mënyrë të paligjshme, pemë në Kepin e Rodonit.

Në përfundim të veprimeve shtetasit A. Z. dhe G. V. u proceduan penalisht për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Gjithashtu u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale, i dy motosharrave, dy automjeteve, dhe dy metër kub lëndë drusore.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës falënderon qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërisë dhe njëkohësisht apelon për të gjithë që të mos kryejnë prerje të paligjshme të pyjeve apo krime të tjera mjedisore, pasi do përballen me ligjin. Në këtë kuadër ftojmë të qytetarët që të denoncojnë në 112 apo në Komisariatin Dixhital, çdo paligjshmëri, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.