Prefekti Xhelili: “Kjo verë do të pesëfishojë turistët vendas dhe të huaj”

497
Sigal

Durrësi nis përgatitjet  për sezonin e ri turistik

Prefekti i Qarkut Durrës –Krujë, zoti Roland Xhelili, ka deklaruar për “Telegraf” se, “sezoni i ri turistik 2014 që po troket, pritet të sjellë në Durrës një fluks të paparë turistësh nga vendi dhe vendet e tjera të rajonit e më gjerë”. Sipas zotit Xhelili, “Durrësi po nis përgatitjet për sezonin e ri turistik 2014, ndërkohë që, kjo zonë e bukur bregdetare mbetet, ende, më i frekuentuara në vend dhe vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për pushimet verore, turizmin detar, kulturor e arkeologjik”. Aktualisht  Durrësi ofron peizazhe të mahnitshme, si rërë, diell, arkeologji, histori, ku mbetet për të theksuar se po aplikohen edhe shërbime të reja për turistët, si shërbimi me celular për parkimin, ofrim i paketave ditore për të pushuar, duke vizituar jo vetëm qytetin, por edhe përbërësit e tij. Qyteti tashmë është në përgatitjet e tij të fundit për të pritur mijëra pushues për sezonin turistik veror 2014, si një qytet që ka ngarkesën më të madhe të turistëve. Dielli, rëra janë ndër të parat kënaqësi, por gjithsesi nuk mbeten më pas ushqimi i detit, e më tej mundësia për të shijuar vende të ndryshme. Ashtu si çdo vit tjetër si tek Shkëmbi Kavajës, por edhe në Currila, në plazhin e Shën Pjetrit e në zona të tjera, që ofrojnë më tepër kënaqësi të natyrës në këtë fillim sezoni, zona bregdetare e Durrësit ofron kënaqësi të pafundme. Në prag të fillimit me kapacitet të plotë të sezonit turistik veror 2014, ka nisur procesi i plugimit dhe dezinfektimit e rërës që pritet t’i mundësojë plazhit kushte maksimale pastërtie. Sipërfaqja e plazhit që i nënshtrohet këtij plugimi arrin në 10 ha. Në këtë fazë po punohet intensivisht në plazhin e Durrësit me qëllim që sezoni turistik të shkojë sa më mire, po punohet për t’i paraprirë të gjitha problemeve të mundshme. Këtë sezon pushuesit do të kenë mundësinë e një plazhi publik më tepër, duke e çuar në katër numrin e tyre. Prefekti Xhelili tha se “Turizmi është një nga përparësitë e qeverisë, dhe ne po punojmë me intensitet për krijimin e kushteve sa më të mira për të gjithë turistët vendas dhe të huaj që do të vizitojnë Durrësin gjatë këtij sezoni, edhe këtë vit Durrësi pritet të shënojë një numër rekord pushuesish, Durrësi ofron turizmin kulturor për shkak të trashëgimisë historike dhe kulturore që ka ky qytet. Këtë fillim muaji në Durrës ka nisur sezoni i turizmit të kroçierave”. Qyteti bregdetar ka nisur  prej javësh të vizitohet nga turistë të shumtë evropianë, shumica e të cilëve skandinavë, gjermanë, anglezë dhe francezë. Vetëm gjatë kësaj jave, në kalatën numër katër të Portit detar janë ankoruar njëherazi tre anije kroçiere. Nga këto tre anije luksoze zbarkuan në Durrës, për një vizitë 2- ditore, afro 700 turistë. Shumica e tyre u ndal në qytet dhe sitet e tij arkeologjike, por nga ana e këtyre turistëve nuk munguan as vizitat e shkurtra në Krujë dhe Tiranë. Këto anije ishin duke ndjekur lundrimin nga ishujt e Kroacisë drejt arkipelagut grek. Durrësi është një ndalesë natyrale në Adriatik mes Kroacisë dhe Greqisë. Në krahasim me vitet e shkuara, gjatë këtij sezoni ka një dyfishim të turizmit të kroçierave në Durrës, aq sa për përballimin e situatës Autoriteti Portual Durrës ka vënë në dispozicion kalatat perëndimore të tij, por ky numër do të ketë një rritje të pritshme progresive gjatë stinës së verës. Krahas tyre është i pranishëm edhe turizmi elitar me jahte.

-Çfarë ofron këtë vit bregdeti durrsak

Çmimet në plazhin e Durrësit vazhdojnë të jenë lakmuese, duke e krahasuar me qytetet e tjera bregdetare, ndërkohë që, rezulton se do të ketë një ulje të çmimeve krahasuar me një vit më parë për disa përbërës të kuzhinës bregdetare. Kështu një pjatë me merluc të freskët, barbun etj., kushton 350 lekë krahasuar me 400 lekë që ishin vjet, teksa për kocën e levrekun qëndron i njëjti çmim. Një ulje jo e paktë vërehet edhe në çmimet e karkalecave të detit ku pjata shkon në 500 lekë, por këto janë çmimet e lokaleve të zakonshme, por ka edhe lokale me prodhime deti ku mund të konsumosh peshk të freskët me çmime më të ulëta për shkak se pronarët kanë anije dhe e gjuajnë vetë peshkun duke siguruar edhe klientë më të shumtë. Durrësi ka dhe një potencial të madh të flotës së peshkimit, që është një ndër furnizueset e tregut me peshk të freskët. Në bankinat e portit ndodhen rreth 110 peshkarexha, gjysma e të cilave kur është kohë e mirë dalin rregullisht për gjueti dhe nga kjo Durrësi është një ndër qytetet e privilegjuara për prodhime deti të freskëta, duke pasur si rezervë edhe prodhimet e lagunave dhe të rezervateve në bregdet që janë një furnizues i përditshëm, por me peshk më pak cilësor se peshku i thellësive. Në këtë treg gjithsecili mund të kënaqë shijet e veta me llojin dhe çmimin që dëshiron. Në plazh ka kafene që tregtojnë kafe nga 40 lekë deri 100 lekë. Por fare pranë këtij lokali gjen një tjetër me çmime 60-70 lekë apo 100-130 lekë. Kjo kategori çmimesh varion nga menaxhimi i pronarëve ose nga shërbimi i ofruar. Një shishe birrë varion nga 100 – 250 lekë, por edhe birrat normale që më parë kanë pasur çmime 100 lekë kanë pësuar një rritje prej 20 lekësh në shumë prej lokaleve. Po kështu edhe pijet e vendit: konjak, fërnet që më parë tregtoheshin me 50 lekë, tashmë kanë filluar të kenë një rritje nga 10-20 lekë, ndërkohë që pijet e tjetra variojnë sipas cilësisë, por kryesisht kanë një çmim 200-250 lekë. Në Këshillin e Qarkut të Durrësit  për sezonin veror 2014, është programuar një paketë turistike ditore në të cilën nëpërmjet agjencive dhe operatorëve turistike një vizitori do t’i mundësohet një vizitë në të gjithë qarkun duke filluar nga qyteti i Durrësit në atë të Krujës dhe në zonën më veriore të komunës së Ishmit në të cilën ndodhet edhe kepi i Rodonit me vlera të mëdha natyrore historike. Qarku  po punon për zhvillimin e një konference rajonale për çështjet e turizmit, me qëllim që të kemi një kohezion, dhe një bashkëpunim midis komunave dhe bashkive, që ofrojnë shërbime turistike. Synimi është përgatitja e paketave turistike ditore dhe javore me operatorë turistikë me qëllim që, turisti që mbërrin në Durrës, të shkojë edhe në Krujë të shikojë turizmin balnear, arkeologjik dhe historik, me qëllim që vitin tjetër të kthehet sërish për pushime. Gjithashtu përqendrimi i forcave për të mbajtur sa më pastër bregdetin në  të gjithë linjën gjatësore të tij prej 62 kilometrash do të bëjë që edhe plazhet e rralla me një natyrë të  egër, por edhe mjaft të bukur të zonës së Durrësit, të bëhen më shumë të frekuentuara sesa tani. Zona e thellë e Ishmit afron edhe një lloj turizmi të kërkuar nga shtetet evropiane, si agro-turizmin dhe prodhimet bujqësore. Një ndër zonat më pak të frekuentuara, por që fsheh vlera të mëdha për banorët dhe turistët është edhe plazhi i Currilave. Ai ka vlera jo thjesht për pastërtinë e ujërave dhe funddetin e mbushur me përthyerje relievi, si dhe mure antike brenda basenit të gjirit ku po ngrihet një port jahtesh, por edhe për gjuetinë me mjete të thjeshta që mund të bëhet, kryesisht për oktapodë, si  dhe peshq të llojeve të ndryshëm që preferojnë guvat e shumta të gurëve të nënujshëm. Por krahas peshkimit të thjeshtë turistik, Currilat të ofrojnë edhe një reliev arkeologjik të rrallë. Pikërisht këtu kanë filluar për herë të parë në vendin tonë kërkimet nënujore arkeologjike, 143 vjet më parë, nga arkeologu Leon Hezej. Këtu në afërsi cekëtina e njohur edhe si cekëtina e Talbotit është realisht një muze i vërtetë nënujor ku janë zbuluar objekte të rralla të cilat kanë qenë transportuar edhe nga anijet e mbytura në lashtësi. Transporti, ashtu si edhe një vit më parë, është thuajse i zgjidhur në rastet kur pushuesit nuk zotërojnë një automjet. Kështu, një taksi Durrës-Plepa kushton 500 lekë, ndërsa Durrës-Shkozet rreth 300-400 lekë. Po ky çmim për lëvizjet brenda qytetit është rreth 300 lekë. Shërbimin e taksive mund ta kesh në çdo orë të ditës e të natës. Mjafton që të përdorësh telefonat e shoqërive, të cilat janë të afishuara kudo. Po kështu në dispozicion në çdo 3 minuta është edhe një autobus që bën linjën Durrës-Plepa e kthim me një kosto prej 30 lekësh. Ky shërbim urban është në funksion prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 22:00 të mbrëmjes. Këtë vit janë futur në qarkullim edhe rreth 8 autobusë të sapo blerë nga Bashkia, si dhe është hapur një linjë urbane në unazën e re që kalon nga zona e ish-Kënetës, e populluar tashmë nga rreth 50 mijë banorë. Nga Durrësi ka edhe linja të shumta autobusësh për në të gjitha rrethet e vendit, ndërsa pika e nisjes së tyre është tek stacioni i trenit. Për një vizitor që do të shohë Tiranën dhe Kavajën, mund të udhëtojë me furgonë ose me autobusë në çdo kohë me një biletë prej 100 lekësh. Për pasagjerët e trenave, me gjithë problemet e sotme që përballon hekurudha, gjatë verës do të vihen trena shtesë për linjat e Tiranës, Elbasanit. Për të disiplinuar lëvizjen e mjeteve në qytetin e Durrësit, Bashkia ka bërë një organizim të ri të metodës së parkimit. Ajo e ka klasifikuar territorin në tre zona dhe respektivisht ka bërë edhe normimin e kapaciteteve të tyre duke i ndarë në zonën A me kapacitet 1762 automjete, në zonën B me 1636 automjete dhe C me 1934 automjete. Gjithsej, normon parkimin në qytet të rreth 5332 mjeteve. Tarifat janë të normuara sipas zonave dhe kohëzgjatjes së parkimit. Një leje parkimi javore për turistët për zonën A është 2000 lekë, në zonën B 1500 lekë dhe në zonën C ku parkimi është edhe pa limit 1000 lekë. Sipas organizatorëve kjo bëhet që të zgjidhet problemi i trafikut dhe i mbipopullimit në zonën e qendrës. Çmimet e parkimit dhe kufizimet kohore të tre zonave janë bërë duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të zonave me parkim në rrugë. Ndër të tjera, ky sistem do të ulë koston e mirëmbajtjes dhe riskun e vjedhjes. Në këtë standard hyn edhe parkimi SMS, i cili do të jetë i lehtë në përdorim. Mësohet se përdoruesi duhet të dërgojë një mesazh në forme teksti me kodin e zonës së parkimit dhe targën e makinës me një kod të veçantë të shkurtër. Sistemi llogarit në mënyrë automatike kohëzgjatjen e parkimit dhe faturën që duhet paguar. Plazhi i qytetit të Durrësit ofron kushtet më optimale për të kaluar pushimet 15-ditore, ose më gjatë. Sipas të dhënave statistikore, në Durrës janë ligjërisht rreth 100 hotele që afrojnë një shërbim me 3000 shtretër. Ky numër mund të jetë edhe më i lartë, pasi shumë biznese nuk i raportojnë faktikisht kapacitetet e tyre për t’iu shmangur detyrimeve tatimore. Statistikat flasin se në Durrës, duke përfshirë edhe bizneset familjare ku shtëpitë ofrohen për turistët, çdo natë gjatë pikut të verës flenë rreth 25,000 pushues. Në fundjavë pushuesit ditorë arrijnë rreth 150,000 – 200,000 vetë. Çmimet e banesave të dhëna me qira variojnë sipas hapësirës që kanë në rreth 15-20 euro në natë. Ndërsa një dhomë në hotel varion nga 25-50 euro, gjithsesi ka hotele me çmime edhe më të larta, kjo në funksion të komoditetit si dhe të afërsisë nga bregu i detit. Hoteleritë janë të lehta për t’u gjetur sapo një turist hyn në qytet. Në dispozicion të turistëve janë shumë shoferë taksish të cilët bëjnë njëkohësisht edhe agjentin e shumë hotelerive, pasi bashkëpunojnë me pronarët për t’iu siguruar klientë. Ose punohet përmes agjencive turistike që kanë informacione të plota rreth hotelerive apo banesave që lihen me qira për pushuesit. Afërsia e qytetit bregdetar me aeroportin e bën atë edhe më të dëshiruar për turistët. Prefektura e Durrësit, parashikon që këtë vit të ketë rritje të fluksit të turistëve vendas dhe të huaj. Bregdeti durrsak është i  karakterizuar nga një bukuri plot variacione. Plazhet ranore dhe ato shkëmbore janë të alternuara dhe kushdo mund të zgjedhe sipas dëshirës. Këto brigje dhe gjire të shumta të mbrojtura nga era i kanë dhënë Durrësit një pozitë gjeografike mjaft të dëshirueshme për pushuesit.