Ministria e Energjitikës braktis naftëtarët

438
Sigal

Protestuesit: Do përshkallëzojmë protestën, duke bllokuar me gra e fëmijë rrugët nacionale deri në grevë urie

 Katër muaj pa paga, naftëtarët në protestë kundër Albpetrol dhe qeverisë

 Mbi 100 naftëtarë të Albpetrol-it të pushuar muaj më parë nga puna kanë protestuar dje para godinave të ndërmarrjes së naftës, duke kërkuar pagesën e mohuar për 4 muaj si dhe rikthimin e tyre në punë, pasi sipas tyre, “nuk ka pasur reformë, por largime politike”. Ndërkohë, edhe ditën e djeshme, për kërkesat e tyre, ashtu si dhe më parë, nuk ka pasur reagim nga Ministria e Industrisë dhe institucione të tjera të qeverisë. Naftëtarët protestues, konfirmuan për “Telegraf” se ata do të përshkallëzojnë protestat në ditët në vazhdim, duke bllokuar akset e rrugës nacionale e deri në grevë urie. “Është e patolerueshme, mënyra se si sillet qeveria me ne. As nuk na dëgjojnë, le më të ndërhyjnë të zgjidhin hallet tona që janë jetike. Ka rreth 4 muaj që nuk na paguajnë atë që na takon me ligj, nuk kemi para për të mbajtur familjen, për të blerë ilaçe. Ministria na ka bërë dalje tek punëdhënësi, ndërsa titullarët e Albpetrol që na kanë flakur në rrugë vetëm mbi motive politike, na përplasin derën në fytyrë. Por ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë protestën tonë, duke e përshkallëzuar atë”- pohuan drejtues të protestës për gazetën “Telegraf”. Po ashtu, lidhur me protestat e naftëtarëve, ka reaguar dje në rrjetet sociale dhe Kol Nikollaj, kreu i Konfederatës, i cili ka bërë apel për dialog e zgjidhje ligjore të protestuesve.

PROTESTA

Kanë qenë mbi 100 ish-naftëtarë pjesëmarrës në protestën e djeshme në Patos. Në thel të kërkesave të tyre ishte “Duam djersën dhe kontributin tonë” si dhe rikthimin në vendet e tyre të punës.

Në dekorin e sheshit të protestës, binin në sy parulla me shkrime të dukshme si “Na riktheni në punë” “Pse hesht ministria”, “Duam paratë e punës dhe djersës sonë”, “Protestat nuk do i ndalim”, etj.. “Reforma është bërë pa menduar dhe e motivuar politikisht. Ne jemi kundër strategjisë së qeverisë për privatizimin e naftës. Naftëtarët duan kontributin dhe djersën e tyre të dhënë në vite. Sot flakemi padrejtësish në rrugë” thonë protestuesit. Ata janë shprehur njëzëri sot, se largimet e tyre janë bërë për motive politike, duke kundërshtuar me forcë privatizimin e uzinës së naftës, ndërsa kërkojnë nga qeveria që të mbajë premtimet dhe t’u japë statusin e naftëtarit. Ndërkohë, naftëtarët shtuan se për shkak të largimit nga puna dhe mos dhënies së detyrimet financiare për rreth 4 muaj, janë vënë në vështirësi për bukën e gojës. “Unë kam 23 vjet që punoj në naftë e vazhdimisht jam vlerësuar si punëtor e specialist i mirë. Por papritur, më komunikuan se pushohem pa punë për shkak të reformës. Por në punë mbahen dhe të apo janë afruar dhe njerëz jo specialistë por të shpërblyer politikisht. Unë jam dhe i sëmurë e marr ilaçe. Por ka muaj që nuk kam marrë lekët që më takojmë dhe si ish-naftëtar i pushuar nga puna. Kam marr borxh për bukë por dhe për ilaçe. Rroga ime, ishte i vetmi burim jetese për familjen time që përbëhet nga 5 veta. Si unë janë dhe shumë të tjerë që janë këtu në protestë”,- thotë 54-vjeçari N. Goxhaji. “Ne kërkojmë që të ndërhyjë shteti, se punëdhënësi po tallet me ne. Na flaku në rrugë e ne nuk dimë ku të shkojmë, nuk kemi me çfarë të jetojmë. Çdo ditë do dalim në protestë për të drejtat. Do bllokojmë rrugët nacionale me trupat tonë, do të nisim grevën e urisë. E me ne do të jenë dhe fëmijët e gratë. Është e vetmja rrugë, nuk kemi rrugë tjetër”,- shton një tjetër protestues.

Protesta e djeshme ishte e qetë. Forca të policisë, megjithëse, ishin të pranishme, nuk u pa e nevojshme ndërhyrja e tyre.

KOL NIKOPLLAJ

Lidhur me protestën e naftëtarëve të Fierit, dje ka reaguar në rrjetet sociale dhe Kolë Nikolla, Kryetari i Konfederatës. “Nga mediat mësuam sot se punonjësit e ARMO-s janë pa u paguar prej 3-4 muajsh… Kjo është vazhdë e papërgjegjshmërisë dhe shkeljes flagrante të të drejtave të punëtorëve dhe të marrëdhënieve të punës… Në vijimësi ne i kemi kërkuar dhe po i kërkojmë Ministrisë së Industrisë dhe Ministrisë së Ekonomisë të ndërhyjnë që të zgjidhet situata dhe të bëhen realitet premtimet e tyre. Ka ardhur koha të flitet e të punohet me vepra e fjalë konkrete, jo me slogane e premtime politike e mediatike. Ne kemi qenë dhe jemi në anën e punonjësve të ARMO-s, të cilët duhet të përfitojnë të gjithë shpërblimet dhe pagat e pa marra. Dua t’i bëj me dije punëdhënësit se pavarësisht transferimit të ndërmarrjes me koncension apo nën kontraktim, punëdhënësi i parë është bashkë solidar në përgjegjësi me pronarin e ri për marrëdhëniet e punës dhe trajtimit të punëtorëve. Prandaj u bëj thirrje punëtorëve të ARMO-s të artikulojnë drejt dhe të adresojnë kërkesat e tyre nëpërmjet Sindikatës së tyre, Konfederatës së rrethit Fier, Federatës Sindikale të Industrisë, me qëllim që të gjejnë gjithë mbështetjen tonë profesionale dhe institucionale për ta zgjidhur konfliktin ligjërisht duke investuar të gjithë aktorët dhe faktorët që duhet ligjërisht të përfshihen në këtë zgjidhje përfundimtare e në favor të punëtorëve. Dua tu kujtoj se probleme e konflikte të tilla nuk zgjidhen me parulla e slogane patriotike e politike, por me gjithë përfshirje e argumente ligjore. KSSH-ja kurrë nuk i ngatërron vagonët me furgonat, as kurrë nuk do të hezitojë të përdorë të gjitha mjetet e rezistencës demokratike për të arritur qëllimin tonë që është mbrojtja social-ekonomike e punëtorëve”.

PROBLEMET

Nisur nga protesta e djeshme e naftëtarëve në Patos, nga deklarimet në medie të ndryshme dhe nga informacionet e ardhura në redaksinë e gazetës sonë, evidentohet se situata në sektorin e naftës (Albpetrol dhe ARMO, është problematike. Mbështetur në këto informacione, dhëniet me koncesion apo ndërrimet e pronësisë në këtë sektor, kanë sjellë një faturë të rëndë sociale për naftëtarët, si me humbjen e vendeve të punës, ashtu dhe mos pagesa për punën e bërë apo shumat që u takojnë me status pas largimit nga puna. Në këtë situatë, naftëtarët ndjehen të neglizhuar si nga ministria përkatëse, ashtu dhe nga qeveria. Në numrat e ardhshëm të “Telegraf”, ne do të pasqyrojmë shqetësimin e naftëtarëve si dhe dokumente të tjera për koncesionet apo ndërrime të pronësisë në këtë sektor.