“Prangat” detyrojnë Bankën e Shqipërisë t’i nxjerrë nga tregu “Micro Credit Albania” dhe “Final”

29
Sigal

“Micro Credi” të tjera po bëjnë namin me mashtrimet e qytetarëve, Banka e Shqipërisë ka patur dijeni të plotë të zhvillimit të kësaj skeme, çfarë do ndodh me pronat e sekuestruara? Flet eksperti i ekonomisë, Zef Preçi

Banka e Shqipërisë ka patur dijeni të plotë të zhvillimit të kësaj skeme, mes 5 shoqërive të lidhura me njëra-tjetrën, por nuk ka vepruar duke e mbajtur këtë aktivitet kriminal brenda perimetrit të “mbikqyrjes” së saj, brenda perimetrit të sigurisë së zhvillimit pa pengesa të këtij aktiviteti dhe brenda perimetrit të përgjegjësisë direkte të saj”.

Fillimi i një vale arrestimesh për mashtruesit e kredive të vogla nga Prokuroria e Tiranës ka detyruar guvernatorin Gent Sejko të ndryshojë qëndrim dhe të ndërmarrë një akt, që kishte refuzuar ta bënte deri tani, duke u revokuar licencat dy kompanive. Bëhet fjalë për revokimin e licencës së dy subjekteve financiare jobanka, të shoqërisë “Final” sh.p.k. dhe të shoqërisë “Micro Credit Albania” sh.p.k. Në njoftimin për mediat, Banka e Shqipërisë thotë se vendimi u mor pasi “jemi në kushtet kur ata nuk plotësojnë më kriterin e reputacionit të lartë etik, i cili ndër të tjera konsideron që individi të mos jetë në ndjekje penale, në gjykim për vepra penale dhe i dënuar penalisht”. Në njoftim, Banka e Shqipërisë sqaroi kredimarrësit se do të dalë me një njoftim të dytë për klientët e këtyre dy kompanive për t’i informuar se çfarë do të ndodhë me pagesat e tyre.

Urdhër-arrestet e Prokurorisë së Tiranës për mashtruesit e kredive të vogla

Reflektimi i Gent Sejkos vjen pas 9 urdhër-arresteve të Prokurorisë së Tiranës për 9 persona nga subjektet Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, administratorë dhe përmbarues të tyre. Ata janë të dyshuar për veprën penale “Skema mashtruese dhe piramidale”. Pesë prej tyre u lanë në burg Aldo Daka, Albert Gega, Edmond Mato, Arben Meskuti dhe Alban Kote. Katër të pandehur të tjerë u lanë në arrest shtëpie Kejda Seferi, Elda Ibro, Jorsida Dervishi dhe Alketa Tanushi. Shoqëritë që përfshihen në hetime akuzohen se morën nga banka ProCredit 3 mijë e 999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej 7.299.203 euro, por më pas “përdorën një skemë shtrënguese të kredimarrjes, ku nëpërmjet vjedhjes u imponohej debitorëve që kishin borxhe të vjetra në banka, të rimernin kredi, edhe pse nuk kishin mundësi shlyerje si dhe u bllokonin nga shoqëritë përmbarimore rrogat, pronat, apo makinat”. Subjekti MCA dyshohet se i ka detyruar kreditorët që të marrin kredi të reja pranë këtij institucioni financiar, për të zhbllokuar të vjetrën, që përsëri e zotëronte po kjo agjenci. Në një shembull që solli prokuroria e Tiranës në dosje, rezulton se një shtetasi iu sekuestruan nga njëra prej kompanitë MCA 14 pasuri të paluajtshme për një detyrim të prapambetur prej 3 mijë e 500 dollarësh. Edhe kompanitë e tjera, përmes mashtrimit shtonin interesat dhe i përfshinin klientët e tyre në një qerthull pagesash ku detyrimet shtoheshin vit pas. Në rast se nuk paguanin, kreditorëve u sekuestroheshin pasuritë e paluajtshme. Në disa raste, sekuestrot përfshin persona, që nuk kishin lidhje me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Ditën e djeshme Gjykata e Tiranës la në fuqi masat e sigurimit të dhëna në mungesë për 8 nga 9 të akuzuarit për kreditë e këqija. Togat e zeza lanë nën masën e sigurisë ‘arrest në burg’ dhe Arben Meskuti. Ndërkohë, me masën e sigurimit ‘arrest në shtëpi’ janë lënë Jorsida Dervishi, Alketa Tanishi, Kejda Seferi dhe Elda Ibro. Sakaq, në sallë njeri nga të dyshuarit ka bërë një batutë ku është shprehur “nuk jemi në komunizëm që na gjykon populli dhe vendos gjykata”.

Prangat e policisë për mashtruesit detyrojnë guvernatorin, Gent Sejko të mbyll MCA dhe “Final”

Skema e mashtrimit ka ende shumë protagonistë të tjerë, të cilët janë aktivë sot, të paprekur, të mirorganizuar, që po vazhdojnë

Kuptohet se revokimi i licencave të këtyre kompanive është një hap i vonuar, që mund të kthehet në autogol për mosveprimin e deritanishëm nga Banka e Shqipërisë. Nëse institucioni mbikqyrës i bankave do të kishte marrë masa më herët, situata nuk do të kishte mbërritur deri këtu, ku shumë kredimarrës kanë humbur pronat e tyre për kredi minimale. Në një raportim para deputetëve në Komisionin e Ekonomisë, guvernatori Gent Sejko mbrojti vendimin për pezullim licence për këto kompani mashtruese, por kundërshtoi revokimin e licencës së tyre. Edhe pse denoncimet kishin kohë që ishin bërë publike në media, Sejko tha se revokimi nuk ishte zgjidhje, madje ai u shpreh i shqetësuar se do të krijonte “pritshmëri të gabuar te kredimarrësit se përmes pushimit të veprimtarisë kredidhënëse të subjektit, shuhet detyrimi për shlyerjen e kredisë. Kredimarrësit mund të perceptojnë që mospagimi i detyrimeve ekziston si opsion, gjë e cila sjell rritjen e kredive me probleme në sistemin bankar, dhe rivendos në rrezik kursimet e qytetarëve, e rrjedhimisht, stabilitetin financiar të vendit”.

Çfarë do të ndodh me pronat e sekuestruara nga Micro Credit Albania?

“’Vrasësit” me pagesë të skemave të mikrokredisë, që kanë masakruar financiarisht dhe shpirtërisht qytetarin dhe fshatarin e thjeshtë shqiptar

Gjatë vitit 2023 ‘Micro Credit Albania’ ka bërë tjetërsimin e pasurive të patundshme të qindra qytetarëve. Pra, pa i njoftuar, duke bërë ankande fiktive, duke bërë shpallje fiktive në zyrat e njësive bashkiake vendore, ka ulur vlerën e pronës nëpër ankande. Pronat janë shitur për 100 mijë lekë, 200 mijë lekë. Janë marrë shtëpitë e qytetarëve për detyrime në 50 euro, 1 mijë euro, 10 mijë euro. Ndërkohë që shtëpia kushton 10-100 fish më shumë. Pezullimi i licencës së ‘Micro Credit Albania’, do të thotë për qytetarët që çdo njoftim që u ka ardhur pas datës 6 shkurt është i pavlefshëm. Duhej që Banka e Shqipërisë të kishte dalë që në datën që mori vendimin dhe t’ua shpjegonte qytetarëve. Merret për t’u sqaruar nga BSH se çfarë do ndodhë me qytetarët që janë duke i shlyer në mënyrë të rregullt mikrokreditë. Ky është një test për drejtësinë, jo për drejtësinë e shoë-t dhe zyrtarëve të lartë, por për drejtësinë e qytetarët. Janë 25 mijë njerëz të prekur dhe 17 mijë qytetarë të identifikuar. Drejtësia duhet të vërë para drejtësie këta autorë. Për qytetarët që u janë tjetërsuar pronat mund të zgjidhet vetëm me një ligj të miratuar nga Parlamenti. Një qytetar ka treguar për gazetën Telegraf se ka pasur një kredi të pashlyer në një bankë të nivelit të dytë, në vlerën 9 milionë lekë të vjetra, dhe sot kompania ‘Micro Credit Albania’ i ka bllokuar pagën në një bankë të nivelit të dytë dhe i kërkon të paguajë 45 milionë lekë.

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve: Ka edhe të tjerë që po bëjnë namin

Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë ka denoncuar (pa emra) institucione të tjera zhvatëse si “Micro Credit Albania”. “DHKPGJ” ka reaguar për masat e sigurisë që ka dhënë sot Prokuroria e Tiranës, për 9 përmbarues gjyqësore dhe administratorë të kompanive të mikrokredive. Në një reagim publik pas arrestimeve të kërkuara nga Prokuroria, Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë thotë se 4 vite më parë, ishin pikërisht ata që kërkuan nga Ministria e Drejtësisë që të njoftohej Banka e Shqipërisë për aktivitetin e “Micro Credit Albania”. Por ndër rreshta kanë edhe një denoncim tjetër. “Skema e mashtrimit ka ende shumë protagonistë të tjerë, të cilët janë aktivë sot, të paprekur, të mirorganizuar, që po vazhdojnë të krijojnë pasoja publike duke e dërguar skemën e nisur në vitin 2015, në nivele fundore kriminale. Banka e Shqipërisë ka patur dijeni të plotë të zhvillimit të kësaj skeme, mes 5 shoqërive të lidhura me njëra-tjetrën, por nuk ka vepruar duke e mbajtur këtë aktivitet kriminal brenda perimetrit të “mbikqyrjes” së saj, brenda perimetrit të sigurisë së zhvillimit pa pengesa të këtij aktiviteti dhe brenda perimetrit të përgjegjësisë direkte të saj,”-shkruhet ndër të tjera në reagimin e tyre zyrtar. Dhoma Kombëtare kërkon edhe falje ndaj personave të dëmtuar nga skema e përmbaruesëve duke u shprehur se të gjithë janë të denoncuar prej tyre, duke i bërë edhe një thirrje Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. “Inkurajojmë SPAK të ndërmarrë veprime aktive për të izoluar dhe minimizuar sadopak pasojat e rënda, që kanë ardhur për mijëra qytetarë shqiptarë, për shkak të lejimit të funksionimit të kësaj skeme të mashtrimit masiv, nga përgjegjësit e identifikuar të saj!,”-shton ndër të tjera “DHKPGJ”. Me urdhër të Prokurorisë së Tiranës, 9 persona u vendosën në masë sigurie, disa në burg e disa të tjerë në shtëpi, pasi akuzohen për disa vepra penale. Prokuroria ka dalë në përfundimin se Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, por edhe personat fizikë: Elda Ibro, Andis Gjoka, Olsi Ibro, Arben Meskuti, Yllka Meskuti, Ernela Cuberi, Indrit Cuberi, Alban Kote, Aldo Daka, Edmond Mato, Roland Deda, Jordisa Dervishi, Alketa Sali Goxha, Albert Gea, Kejda Seferi, Mariela Basha, Besmir Barxhani, Saimir Hajdari, Bashkim Xhafa, Florian Beqaraj, kanë përdorur licencat si kompani mikrokrediti dhe përmbarues gjyqësorë për të zhvatur mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra. Ndërkohë Shoqata Mikrofinanca Shqiptare dhe anëtarët e saj kanë deklaruar se distancohen me forcë nga Shoqëritë e Mbledhjes së Kredive, të cilat operojnë nëpërmjet praktikave jo-ligjore, jo-etike, korruptive. Ata shprehin gatishmërinë tonë si aktorë aktivë në tregun e kredidhënies, që të bashkëpunojmë me autoritetet ligjvënëse dhe ligjzbatuese, ato qeveritare, rregullatore e mbikqyrëse, për hartimin e një kuadri ligjor dhe rregullator sa më të plotë.

Cila ishte skema që kanë aplikuar në këtë rast?

Një qytetar ka marrë një kredi në vlerë të vogël në vlerë 70 mijë lekë një bankë të nivelit të dytë për të përmbushur nevojat e tij të konsumit. Për shkak të neglizhencës apo pamundësisë paguese, një pjesë e kësaj kredie ka mbetur e papaguar dhe ka kaluar në regjistrin e kredive të këqija. Në këtë rast këto kompani kanë blerë këtë borxh nga banka e nivelit të dytë dhe kanë përdorur përmbaruesit për të mbledhur detyrimin ndaj qytetarit. Kompania ka arritur deri në stadin ku ka aplikuar edhe kamatëvonesë për kredimarrësin, duke i detyruar të paguajnë më shumë dhe në rast të pamundësisë paguese, i janë bllokuar llogaritë apo i janë marrë pasuri, duke e rrënuar ekonomikisht. Aktualisht janë 27 subjekte financiare jo banka dhe institucione financiare të mikrokreditit të licencuara nga banka e Shqipërisë. Nga viti 2002 dhe deri më tani, Banka e Shqipërisë ka revokuar licencat për 16 institucione financiare jo banka, ku përfshihen edhe institucionet financiare të mikrokreditit. Një pjesë prej tyre janë rikthyer sërish në treg. Një nga pikëpyetjet që mbetet është fati i portofoleve të klientëve dhe fakti nëse do të ketë rimbursim për klientët që janë abuzuar. Banka e Shqipërisë bën me dije se do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e këtyre dy subjekteve. Eksperti i ekonomisë Zef Preçi thotë se ekziston baza ligjore, por Banka e Shqipërisë e ka konsideruar shitjen dhe rishitjen e kontratës si produkt bankar. Ndërkohë përfshirja e përmbaruesve dhe parave të pista në këtë proces. ‘Këtë vetëm prokuroria Banka e Shqipërisë e Parlamenti nuk e dinin se i gjithë opinioni publik kishte 6 vjet që zien për këtë punë”, -thotë eksperti. Preçi beson se e gjithë skema është pjesë e keqqeverisjes, si bëhet paraja e shpejt është pjesë e krimit të organizuar. “Uroj që prokuroria të ketë përgjegjshmërinë t’ia çojë SPAK-ut. Shkalla e përfshirjes së institucioneve superiore, monitoruese e mbikqyrëse përfshirëse në sistemin banker dhe më gjerë, përfshirë Agjencinë kundër pastrimit të parave, Tatim Taksave, Kadastrën e të tjerë është shumë më e gjerë nga sa duket në pamje të parë. Rreziku i tensioneve sociale për shkak se preket pjesa më e varfër e shoqërisë. Bëhet fjalë për 100 – 150 mijë familje, që kanë nevojë për ndërhyrje ligjore”,- tha eksperti, Zef Preçi.