Post-Covid, dy ekspertët e ekonomisë analizojnë strategjitë afatgjata dhe ndryshimet në tregun e punës

164
Sigal

Sfidat e reja, strategjitë afatgjata të zhvillimit ekonomiko -social, ndryshimet strukturore në tregun e punës si dhe lindja e profesioneve të reja në periudhën post-COVID. Këto ishin pikat kyçe të dy ligjëratave të hapura që mbajtën sot dy ekspertët e njohur të ekonomisë, në ambientet e Akademisë së shkencave, Akademik, prof.dr. Anastas Angjeli dhe Akademik i asociuar, prof.dr.Adrian Civici.

Themeluesi dhe rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, analizuan perspektivat e zhvillimit ekonomik si dhe ndryshimet e pritshme në tregun e punës. “Pandemia e COVID, gjeti të papërgatitur gjithë botën, duke e përballur veç të tjerash edhe me mungesën e një vizioni strategjik afatgjatë përballë ndryshimit të shpejtë teknologjik dhe inovativ avancimet kibernetike dhe veçanërisht inteligjencën artificiale. Këto sfida kërkojnë një qasje të re të mendimit ekonomik i cili po orientohet domosdoshmërisht drejt ekonomisë së BigData, Inteligjencës artificiale dhe modeleve, ekonomike inovative, kriptomonedhat dhe rishikimi i teorisë monetariste modern”, u shpreh Akademik, prof.dr. Anastas Angjeli në ligjëratën “Sfidat e reja , ndryshimet e teorive ekonomike dhe strategjive të zhvillimit ekonomiko social në periudhën e pandemisë Covid 19 dhe perspektivat afatgjata të zhvillimit dhe mirëqeverisjes.

Ai shtoi se fokusi te qëndrueshmëria mjedisore, shëndetësia, arsimi, ulja e pabarazisë dhe një qëndrueshmëri më e madhe, duhet të ndërtohen në strukturat e ekonomisë që nga fillimi duke qenë jetik hartimi i politikave të reja integrale.

Rektori i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Adrian Civici në ligjëratën e tij “Evolucioni dhe ndryshimet strukturore në tregun e punës dhe lindja e profesioneve të reja në periudhën post-Covid-19”, pasi bëri një analizë të detajuar të profesioneve që u goditën më shumë nga kriza, ato që i rezistuan asaj si dhe profesionet e së ardhmes theksoi se ekonomia, financat, bizneset, shërbimet, sektori publik, administrimi, duhet të adaptohen me këtë tendencë të cilësuar si “delinearizim” i zakoneve të jetës, konsumit, prodhimit e shpërndarjes, financave, transportit, komunikimit, modelit të biznesit etj., të “provokuar” nga situata e pandemisë së COVID-19, por edhe të servirur si rruga drejt së ardhmes. Tashmë pothuajse çdo “vendim” apo “veprim” do të bazohet në teknikat digjitale.

“Nga ana tjetër, tregu i punës ka evoluar dhe ndryshuar më shpejt dhe në drejtime më specifike në raport me shpejtësinë e reagimit të universiteteve dhe “produkteve” të tyre ndaj kërkesave të tregut të punës. janë universitetet ato që duhet të reagojnë me shpejtësi dhe inteligjencë për ti paraprirë kërkesave specifike “speciale” të tregjeve të punës”, u shpreh Civici. Ndaj sipas tij, është e domosdoshme përgjigjja me një ofertë universitare të modernizuar e specifike.