Policia paralajmëron : “Kujdes në timon”, 13 të arrestuar dhe qindra të gjobitur

467
Sigal

Një aksion blic i Policisë Rrugore ka konstatuar një numër të lartë shkeljesh të drejtuesve të automjeteve, ndërsa bëhet e ditur se janë arrestuar 13 shoferë, janë tërhequr 69 patenta dhe gjobitur qindra të tjerë. Policia Rrugore paralajmëron kontrolle me makina civile gjatë fundjavës për evidentimin e shkeljeve rrugore.

13 drejtues mjetesh janë arrestuar nga Policia Rrugore gjatë 24 orëve të fundit, 6 prej tyre për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 7 të pa pajisur me patentë.

Një numër i lartë shkeljesh janë konstatuar nga njësia Operacionale e Policisë Rrugore gjatë patrullimit në akset rrugore Tiranë- Rinas dhe Fushë-Krujë–Milot.

Policia njofton se ka pezulluar dhe 69 leje drejtimi, ndërsa janë evidentuar dhe ndëshkuar 188 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara.

Në aksionin e policisë janë evidentuar gjithashtu edhe 117 drejtues motoçikletash pa kaskë mbrojtëse, 136 pa rrip sigurimi dhe 86 të tjerë duke përdorur celularin gjatë drejtimit të mjetit.

Gjatë kontrolleve janë evidentuar 2 drejtues mjetesh që qarkullonin me leje drejtimi të pezulluar më parë, për shpejtësi tej normave të lejuara dhe drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Policia Rrugore paralajmëron drejtuesit e mjeteve të jenë të kujdesshëm, pasi dhe gjatë fundjavës do ushtrojnë kontrolle të befasishme në të gjithë territorin e vendin.

Njësia Operacionale e Policisë Rrugore, për evidentimin e shkeljeve rrugore përdor makinat civile të pajisura me sistem sinjalizimi zanor.