Policia i kërkon prokurorisë të hetojë për prishjen e zgjedhjeve

396
Policia I kerkon prokurorisë të hetohet për dyshimet se në datën 7 maj do të pengohen zgjedhjet e parakohshme për bashkinë e Kavajës. Si material referues policia ka përcjellë qëndrimin publik të opozitës për mbajtjen e një proteste kombëtare që do të nisë në datën 6 maj dhe të zgjasë edhe gjatë ditës së votimeve në Kavajë

Tirane- Policia kërkon nga prokuroria të hetojë Partinë Demokratike në lidhje me deklaratat publike për protestën masive të thirrur në 7 maj, ditën kur zhvillohen zgjedhjet lokale në Bashkinë e Kavajës.

Sipas policisë, PD-ja dhe zyrtarët e saj në deklarata kanë bërë “thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe po tentojnë të “pengojnë subjektet gjatë zgjedhjeve”.

Sipas materialit referues, që po verifikohet nga prokurori i çështjes , thuhet se Partia Demokratike nëpërmjet metodave të ndryshme dhe deklaratave publike po tenton të dëmtojë zgjedhjet lokale në Bashkinë e Kavajës.

Për këto fakte, thuhet në kallëzim, policia ka kërkuar nisjen e hetimeve nga prokuroria për Partinë Demokratike për dy akuza, atë të “thirrjes publike për veprime të dhunshme” dhe “pengim të subjekteve zgjedhore” në bashkëpunim.

Nga ana tjetër, referuar Kodit Penal, dy akuzat ajo e “thirrjes publike për veprime të dhunshme” dhe akuza e “pengimit të subjekteve zgjedhore” parashikohen si krim kundër rendit Kushtetues dhe kanë një penalitet nga gjoba deri në tre vjet burg për individë të caktuar.
Sigal