Nxënësit e shkollës së Rubikut, 10 vjet mësim pa sistem ngrohje

1179
Sigal

Drejtori i shkollës Ndoj: Ngrohja me korrent nuk mund të bëhet, pasi rrjeti nuk mban. Presim fonde e rivënien në punë të kaldajës

RUBIK- Prej 5 vitesh, nxënësit e shkollës 9-vjeçare të Bashkisë Rubik zhvillojnë mësim pa ngrohje, për shkak se, sistemi i ngrohjes i parashikuar, në projektin e ndërtimit të godinës, nuk u instalua. Për këtë shkak, i vetmi mjet ngrohje për nxënësit dhe mësuesit, mbeten furnelat elektrike. Por për shkak të ngarkesës, rrjeti nuk mbanë dhe masat në rrjetin elektrik shkaktojnë djegie dhe flakë. Kështu, në këtë dimër të ashpër, nxënësit janë pothuaj pa ngrohje fare. Këtë e pohon për “Telegraf”, Lekë Ndoj, drejtori i kësaj shkolle.

NGROHJA ME KORRENT
Mungesa e sistemit të ngrohjes, ka detyruar që 308 nxënësit e kësaj shkolle të tentojnë ngrohjen me furnela elektrike. Por kjo mënyrë ngrohjeje, ka sjellë dhe premisë për zjarr. Kështu, ditë më parë, një shkëndijë elektrike e shkaktuar nga mbingarkesa në rrjetin elektrik dhe mos funksionimi i automatit, krijoi një vatër zjarri në katin e dytë që solli alarm dhe panik tek nxënësit e mësuesit. Por ndërhyrja e shpejtë e mësuesve, bëri që tragjedia të evitohej. “Kjo ngarkesë elektrike ka ardhur si rezultat i përdorimit të furnelave elektrike për mungesë të pajisjes me sistem ngrohjeje, me oxhakë siç ka qenë më parë kjo shkollë, e të sistemit me kaldajë, ashtu siç ka qenë e planëzuar në projektin shtesë të katit të dytë të shkollës 9- vjeçare të ndërtuar në vitin 2009”,- thotë për gazetën “Telegraf” Ndoj. Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit të fillimit të këtij dimri- vazhdon bisedën e tij drejtori Ndoj,- na ka detyruar të përdorim njëherazi mjetet ngrohëse në të gjitha klasat që në këso ditësh të tilla mësuesit janë të detyruar të përdorin furnela që sollën mbingarkesë, pasi është vetëm kjo linjë e vetme e mundshme që ka mbetur për ngrohjen e nxënësve. Por linjat nuk janë llogaritur për këtë ngarkesë, e rrezikohen tragjedi.

DREJTUESIT PËR SITUATËN

I pyetur rreth situatës, drejtori shpjegon: “Kur unë erdha para 17 vitesh si drejtor i kësaj shkolle ka qenë një ndërtesë njëkatësh dhe çdo klasë ka qenë e pajisur me oxhak dhe ngrohja bëhej me dru zjarri. Shtesa e nxënësve lindi nevojën e shtimit të klasave. Në vitin 2009 nisi një projekt. Por oxhaqet u mbyllën. Pra, prej 5 vitesh, shkollës i mungon sistemi i ngrohjes. Ka po kaq vite që nuk kemi reshtur së kërkuari arsyen se përse nuk është zbatuar projekti duke këmbëngulur që të vendoset kaldaja, ose në të kundërtën të ndërhyhet në rrjetin elektrik. Por gjithmonë marrim përgjigje negative. Në këto kushte, 308 nxënësit, në 17 klasa gjithsej, janë pa ngrohje. Është e pafalshëm dhe i patolerueshëm veprimi i kreut të ish-kreut të bashkisë dhe specialistëve përkatës që morën në dorëzim objektin pa sistem ngrohje”,- tregon për “Telegraf”, drejtori i shkollës. Burime të gazetës shtojnë se Y. Vukaj, kreu aktual i bashkisë ka kërkuar zyrtarisht dhe vazhdon kontaktet e shpeshta në Tiranë, me shpresën e miratimit të shpejtë për fondin që do u rikthejë ngrohjen nxënësve dhe mësuesve të shkollës 9-vjeçare të qytetit të Rubikut.