Një oficer policie i qarkut të Kukësit ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me mënyrën e trajtimit të shpërblimit për ushqime për policët e rajonit.
Sipas tij, policët e rretheve Kukës, Has, dhe Tropojë, përfshirë edhe ata të kufirit, po përballen me vështirësi dhe kosto të larta për të tërhequr shpërblimet ushqimore.
Pavarësisht se vendimi për dhënien e shpërblimit për ushqime është marrë, policët duhet të udhëtojnë në Tiranë për të tërhequr këto fonde, gjë që përfshin kosto të mëdha shtesë.
“Na kanë detyruar njëherë të shkojmë në Tirana Bank, pastaj në Raiffeisen Bank. Për të marrë 80 mijë lekë për ushqime, na duhet të shpenzojmë rreth 40 mijë lekë vetëm për karburant,” shprehet oficeri në joq.
Kjo kërkesë e eprorëve për të shkuar për të bërë shpenzimet ushqimore nga Kukësi në Tiranë është bërë problematike për policët e qarkut, të cilët ndihen të lodhur nga situata dhe kërkojnë një zgjidhje më të përshtatshme.
Ata apelojnë për një mënyrë më të lehtë dhe më pak të kushtueshme për të marrë shpërblimet e tyre, duke theksuar se trajtimi i tillë i ka bërë të ndihen të nënvlerësuar dhe të lënë pas dore. Për 80 mijë lekë ushqime, u duhet të harxhojnë 40 mijë lekë karburant.