Pogradec, shkarkohen çdo mëngjes ujëra të ndotura në liqen

554
Çdo ditë rreth orës 08.30 të mëngjesit pompat e hidrovorit në zonën e Tushemishtit shkarkojnë sasi të mëdha uji të ndotur. Era e rëndë e ujërave të zeza është shumë e fortë në gjithë zonën ndërsa brenda pak minutave ujërat me ngjyrë të errët përhapen në gjithë zonën e bregut të liqenit dhe atje në fshatin Tushemisht ku ka disa plazhe. Shkarkimet janë filmuar nga një pushues në Pogradec mëngjesin e djeshëm. Ai shpjegon se shkarkime të tilla ka parë gjatë gjithë ditëve të qëndrimit të tij në qytet. Pushuesi është kujdesur të tregojë edhe se kujt i përket impianti që shkarkon ujërat e ndotura në liqenin e Ohrit. Drejtori i Bordit të Kullimit, Ilir Cenolli i tha “Top Channel”, se impianti varet prej tyre, por bordi nuk ka kompetencë të kontrollojë ndotjen e ujit që derdh në liqen. Përveç ujërave të hidrovorit, aty derdhen edhe ujërat e përdorura të qytetit të Pogradecit. Këto ujërat përpunohen nga impianti i pastrimit të ujërave të zeza të qytetit. Uberto Toshi, drejtor i Agjencisë së Mjedisit, thotë se disa muaj më parë ka pasur një defekt në sistemin e filtrimit që është riparuar dhe sipas tij ujërat janë me ngjyrë, por të padëmshme për liqenin. Me ndërtimin e impiantit të pastrimit të ujërave të zeza në qytetin e Pogradecit, u tha se në liqen nuk derdhen më mbetje. Edhe ky hidrovor deri pak kohë më parë nuk shkarkonte ujëra me ngjyrë të errët në liqen. Situata ka ndryshuar së fundmi, duke u kthyer në shqetësim për pushuesit, por jo për institucionet.
Sigal