Po mendoni për makinë të re? Ja procedurat për regjistrimin dhe çregjistrimin e përhershëm të mjetit

1405
​Dokumentet që duhet të dorëzoni dhe hapat që ndiqen
Kërkon të çregjistrosh makinën sepse është shumë e vjetër dhe je duke kërkuar për një të re? Apo thjesht ke vendosur të heqësh dorë njëherë e mirë nga makina jote historike? 
E-Albania të ofron mundësinë që përmes shërbimit elektronik “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti” të kryesh veprimin, gjithashtu online mund të paguash koston e aplikimit.
Përmes e-Albania e gjithë procedura bëhet më e lehtë dhe më e thjeshtë ndaj apliko tani nga smartphone, tableti apo kompjuteri! Fizikisht të duhet të shkosh pranë Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor vetëm për të kryer dorëzimin final të dokumenteve.
Shërbimi “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti” është një shërbim elektronik, i cili u mundëson zotëruesve të automjeteve të aplikojnë online për çregjistrim të përhershëm të mjetit, si dhe të kryejnë online pagesën përkatëse për aplikimin.
Çregjistrimi i mjeteve rrugore kryhet në zbatim të Ligjit Nr. 8378, datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë” i ndryshuar, VKM Nr. 153, datë 07.04.2000 “Për Miratimin e Rregullores në zbatim të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar dhe Udhëzimit Nr.01, datë 18.01.2012 “Mbi Dokumentacionin e Qarkullimit dhe Regjistrimit të Mjeteve Rrugore me Motor dhe Rimorkiove të Tyre”, i ndryshuar.
Dokumentacioni i nevojshëm
Dokumente që ju nevojiten për të marrë shërbimin online:
– Dokument i identifikimit të përdoruesit; kartë identiteti ose pasaportë biometrike (i nevojshëm për t’u loguar në portalin e-Albania).
Dokumente që duhet të dorëzoni në sportelet e drejtorive rajonale:
– Dokumenti i identifikimit ose Ekstrakti i QKB-së për bizneset
– Leja e qarkullimit të mjetit
– Targat e mjetit
– Certifikatë pronësie
– Vërtetim RBS (Regjistri i Barrës Siguruese)
Hapat e procedurës
Për të marrë shërbimin:
– Regjistrohuni si qytetar në portal
– Zgjidhni shërbimin “Aplikim për çregjistrim të përhershëm mjeti”
– Klikoni butonin” Përdor”
– Aplikoni për çregjistrimin e përhershëm të mjetit
– Kryeni pagesën e aplikimit, duke ndjekur hapat për të kryer pagesën online
– Paraqituni pranë sporteleve të drejtorive rajonale për dorëzimin e dokumenteve.
Ky shërbim mund të merret menjëherë pas paraqitjes në sportelet e drejtorisë rajonale, nëpërmjet një kostoje në vlerën e 600 lekëve. 
Sigal