Festa e Fiter Bajramit, kreu i KMSH: Zoti e bekoftë Shqipërinë

542
Me përfundimin e muajit të Shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë në të gjithë botën kremtojnë sot Fiter Bajramin. Ndërsa vijojnë punimet për Xhaminë e Madhe, ashtu si në të kaluarën edhe këtë vit besimtarët shqiptarë janë mbledhur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” për të falur namazin.
Për nder të kësaj feste, kreu i Komunitetit Mysliman në Shqipëri, Skënder Bruçaj, – duke e quajtur këtë festë si “Festën e shpërblimit, ditën e harmonisë shpirtërore, ditën e solidaritetit, ditën e afrimit me njëri-tjetrin” -uroi të gjithë shqiptarët, “Zoti në këto ditë të veçanta që ka një përkujdesje të veçantë për të gjithë besimtarët, të japë mirësi dhe begati shoqërisë sonë dhe popullit tonë”.
Ai ka bërë thirrje që në Shqipëri të vijojë harmonia fetare ashtu siç është jetuar deri më sot. “Të jetojmë siç po jetojmë në vëllazëri dhe në harmoni, me besimtarët e komuniteteve të tjera. Duke respektuar njeriun, unitetin njerëzor, të ndryshmen. Zoti e begatoftë çdo shqiptarët dhe Shqipërinë”, uroi kreu i KMSH, Skënder Bruçaj.
Ndërkohë, edhe myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar qytetarët me rastin e festës së Fiter Bajramit, duke thënë se gjatë kësaj feste, nëpër familjet e Kosovës duhet të përhapet ndjenja e vëllazërisë, mirësisë dhe dashurisë me njërin-tjetrin, duke uruar e kremtuar këtë festë. Tërnava bëri thirrje për të ndjekur traditat, përmes të cilave ai tha se shprehim bujarinë dhe sinqeritetin me njëri-tjetrin.
Sigal