PMNZH-ja e Gjirokastrës është kthyer në një institucion

1104
Ka jo pak raste në historinë e institucioneve tona, kur emri i institucionit me atë të individit shkrihet në një. Kjo ndodh me së shumti në rastet kur individi që drejton apo menaxhon një institucion të caktuar e kryen detyrën me pasion dhe përkushtim. Nderimet e pushtetit dhe emërtesat e militantëve në krye të institucioneve në jo pak raste i kanë dëmtuar shumë këto të fundit. Gjithsesi shembujt kur drejtuesit vendosin profesionalizmin mbi gjithçka në punën tyre nuk mungojnë. PMNZH-ja e Gjirokastrës është kthyer në një institucion, për sa i përket mënyrës së drejtimit dhe funksionimit të saj. 
Konkluzioni në një rast të tillë vjen në fakt drejtpërdrejt nga rezultatet e arritura. Shërbimi zjarrfikës në Gjirokastër përmes drejtimit dhe menaxhimit ka bërë që zjarret në harkun kohor të një viti të zbresin me 50%. 
Kjo është statistika për vitin 2013-2014. Rënia e zjarreve sipas komisar Kujtim Bizhgës, drejtues i PMNZH-së Gjirokastër, nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me rastësinë, por mbi të gjitha me mosmarrjen e masave të duhura nga ana e individëve. Arti i drejtimit është në fakt arti i menaxhimit dhe i komunikimit. Me sa duket kjo ndërvarësi funksionon ashtu, siç duhet në PMNZH-në e Gjirokastrës, që ka rëndësi domethënëse për qytetin, i cili për nga vlerat arkitekturore është marrë në mbrojtje edhe nga UNESCO.
Masat e marra ndryshojnë rezultatet në PMNZH-në e Gjirokastrës
Ndryshimi i rezultateve në PMNZH-në e Gjirokastrës lidhet me një sërë masash që janë marrë për mirëfunksionimin e saj. Në krye të këtyre masave sigurish qëndrojnë ato që lidhen me përzgjedhjen, stërvitjen dhe kushtet e punës së zjarrfikësve. Sipas komisar Bizhgës gjatë kësaj kohe, mosha mesatare e punonjësve zjarrfikës në qarkun e Gjirokastrës është ulur ndjeshëm dhe sot 50 % e tyre janë 34-35 vjeçarë. Stërvitja sot kryhet në kushte shumë më të ndryshme nga dy vjet më parë dhe punonjësit kanë sot uniforma të standardeve ndërkombëtare. Numri i mjeteve në shërbim të emergjencave është dyfishuar nga 6 në 12, duke rritur ndjeshëm shpejtësinë dhe mundësinë e ndërhyrjes edhe në rrugë të ngushta dhe terrene të vështira për automjetet e mëdha, deri dje një pengesë serioze kjo për këtë shërbim.
Kalimi i një automjeti zjarrfikës në rrugët e qytetit dikur të trishtonte nga gjendja teknike dhe paraqitja e tij, saqë shpesh nuk mungonin edhe batutat për efektshmërinë e tyre në shuarjen e zjarreve. Gjendja e dikurshme sot është përmbysur. Krejt tjetër kjo gjendje është edhe në bashkëveprimin institucional. Sipas komisar Bizhgës, harmonizimi i veprimeve përmes PMNZH-së dhe institucioneve të tjera, nuk ndodh vetëm në raste emergjence. Për të shuar një zjarr, puna fillon pa rënë ai. 
Elementi i ri i aktivizimit të zyrës së parandalimit
Aktivizimi i zyrës së parandalimit është një nga elementët e rinj, që drejtuesi Bizhga po implementon. Puna e kësaj zyre lidhet me takimin me përfaqësues të pushtetit vendor, me banorë dhe biznese. Është ky ndërgjegjësim hapi i parë në shuarjen e zjarreve. Takimet me banorë të zonave rurale, që jetojnë kryesisht me mbarështimin e bagëtive dhe këshillimi me ta, ul riskun e zjarreve në kullota. Vetëm në muajin Korrik të këtij viti, ky repart u përball me 51 zjarre që ranë kryesisht në kullota. Takime parandaluese zhvillohen edhe me bizneset me risk të lartë zjarri, siç janë karburantet, pikat e tregtimit të gazit, fabrikat e letrës dhe ato të lëndëve plasëse. Menaxhimi me kompetencë i PMNZH-së Gjirokastër, ka bërë që shpejtësia në ndërhyrje për shuarjen e zjarreve te ritet ndjeshëm dhe ky është një faktor gjithashtu shumë i rëndësishëm, pohon Bizhga. Kjo punë e shtrirë në dy vitet e fundit, ka sjellë një ndryshim të dukshëm në respektin që qytetarët kanë për këtë shërbim dhe punonjësit që punojnë aty. Punonjësit që përballen me emergjencat e qarkut, në jo pak raste kanë kontribuuar edhe vetë ekonomikisht për nevojat që kanë pasur banorë të rajoneve të përmbytura në pjesën veriore të vendit. Shtrimi i rrjetit të ri të ujësjellësit në Gjirokastër, ka prurë pas më shumë se 30 vjetësh montimin e hidrantëve në rrugët e qytetit të UNESCO-s. Kjo për komisarin Bizhga është një garanci më shumë në efektivitetin e punës së repartit të tij. Mbarëvajtja e punëve ka bërë që komisari të mendojë edhe për atë që shumë institucione e kanë lënë krejt në haresë: historikun e këtij shërbimi. Ngritja e një dhome muze brenda ambienteve të PMNZH-së do të jetë sipas tij, jo vetëm memorizimi i krijimit dhe funksionimit të këtij shërbimi në vite, por edhe një shkëndijë frymëzimi drejt brezit të ri në mënyrë që edhe ata ta duan këtë profesion, karakteristika kryesore e të cilit është sakrifica për të shpëtuar në radhë të parë jetën njerëzore
Sigal