Plani B i qeverisë, ja funksioni tjetër i ushtrisë

445
Sigal

Qeveria shqiptare ka marrë masa edhe më të forta se disa vende të Europës. Teksa edhe lëvizjet e qytetarëve nga kjo e hënë bëhet me leje, një plan B është duke u përgatitur nga qeveria. Ushtria shqiptare do të angazhohet për blerjen e ushqimeve, me qëllim furnizimin në banesa të pensionistëve dhe të familjeve në nevojë. Qeveria ka dërguar një projektligj në Kuvend, i cili i lejon ushtrisë të blejë ushqime dhe materiale të tjera, për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Bëhet fjalë për projektligjin për prokurimet në fushën e mbrojtjes së sigurisë, i cili do të shqyrtohet dhe miratohet me urgjencë në Kuvendi.

Për këtë nismë, në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, deputeti Taulant Balla, tha se ”do të citoj në mënyrë të veçantë projektligjin “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes së sigurisë”. Kujto këtu se në planin e masave të ndërmarra nga qeveria për të përballuar këtë situatë i është lënë një fond i posaçëm Ministrisë së Mbrojtjes, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë familjeve në nevojë. Pra, do të jetë Ministria e Mbrojtjes, që përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile dhe Rezervave të Shteti do të blejë ushqime, të cilat do t’u vihen në dispozicion familjeve në nevojë. Për këtë është shumë e nevojshme që projektligji “Për prokurimet në fushën e mbrojtjes së sigurisë” të jetë gati sa më shpejt”.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, Ermonela Felaj tha se ”U përmend edhe nga kryetari i grupit, edhe unë e thashë që të futet në kalendar ligji për prokurimet në fushën e mbrojtjes. Nuk e di, a ka një urgjencë për miratimin e këtij ligji, në mënyrë që Komisioni i Sigurisë ta planifikojë, se besoj që ne jemi komisioni përgjegjës?”. Në përgjigjen e saj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, tha se “Po. Në fakt e përmendi edhe zoti Balla dhe nuk e gjykova të arsyeshme ta përsëris, pasi e tërë, është një projektligj me përparësinë kohën që Ministria e Mbrojtjes ka një përgjegjësi të shtuar, në raport me përballimin e pandemisë. Do të ishte shumë mirë që Komisioni i Sigurisë si komisioni përgjegjës të mund ta vendosë në kalendar këtë projektligj”.