Plagosja e 6-vjeçarit, kapet autori. Si nisi konflikti me të atin e tij në lokal (VIDEO)

576
Sigal

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Krastë të Martaneshit, ku një fëmijë 6-vjeçar është qëlluar me tre plumba automatiku.

I mituri ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Jetmir Koxherri, 27 vjeç është autori i plagosjes së të miturit, i cili u arrestua nga Policia.

Mësohet se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti midis Koxherrit dhe babait të djalit në qytetin e Krastës.

Personi në fjalë ka marrë një armë automatik dhe ka shkuar e gjuajtur në banesën e babit të djalit të plagosur por për fat të keq plumbat kanë kapur fëmijën 6 vjeçar.

Njoftimi i policisë:

Reagimi në kohë i Policisë vë në pranga autorin e dyshuar që qëlloi me armë zjarri në drejtim të një banese e për pasojë mbeti i plagosur një fëmijë.

Sekuestrohet arma e krimit automatik tip “kallashnikov”.

Me datë 19.06.2019, rreth orës 01:15, është marrë informacion, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal, mes shtetasve J. K., H. Rr. dhe Sh. P, shtetasi J. K, është larguar nga lokali dhe dyshohet se ka marrë një armë zjarri dhe ka qëlluar në drejtim të banesës të shtetasit H. Rr, ku për pasojë ka mbetur i plagosur një fëmijë i mitur, i cili po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit në DVP Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Bulqizës, në orët e mëngjesit, është bërë kapja e autorit të ngjarjes shtetasit J. K., 27 vjeç, banues në Krastë, si dhe sekuestrimi i armës së krimit.
Grupi hetimor vijon hetimet në vendngjarje.