Pjesëmarrja e Ismail Qemalit në “Mbledhjen e Fierit”dhe bujtia e tij në Cakran

895
Nga Halil Bregasi
Kuvendi i Fierit, një prej ngjarjeve më të rëndësishme që i parapriu Pavarësisë
U mbushën 105 vite nga një prej ngjarjeve të rëndësishme të Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare, ajo që u quajt: “Mbledhja e Fierit”. Siç dihet, në këtë mbledhje morën pjesë edhe Ismail Qemali me Luigj Gurakuqin. Pas takimi ata bujtën në Cakran gjatë rrugës për në Vlorë.

Zona e Cakranit në të gjitha eventet historike, ka mbajtur anën progresive dhe ka dhënë kontribut të çmuar, sidomos, në luftërat për çlirim, ku vlen të përmendet dhe në luftërat kundër pushtuesve otoman deri në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Kjo ka bërë që të ketë lidhje të ngushta me njeriun që arriti të përmbush ëndrrat e shqiptarëve për të qenë të lirë e ta pavarur, Ismail Qemal bej Vlorën.

Lidhjet e Ismail Qemalit me Cakran duhen filluar qysh nga njohja e Hajredin Cakranit me të, gjatë studimeve të këtij të fundit në Stamboll. Por njohja direkte e tyre dhe e I. Qemalit me fshatrat e Mallakastrës, përfshi këtu dhe Cakranin, u forcuan e konsoliduan, kur më1908, I. Qemali vendosi kandidaturën për deputet në Parlamentin Xhonturk. Kjo kandidaturë u përkrah fuqimisht nga zona e Cakranit nën influencën e Hajredin Cakranit. Është i njohur telegrami i cakranjotëve,dërguar birit të tyre në Berat, Hajredinit, ku i thuhet:

“Këtë vjeshtë vendosëm siç kuvenduam, të përkrahimIsmail Benë, që zotrote e ke njohur në Stamboll dhe ështëshqiptar i përbetuar…”. Pra, kuptohet e njohja e tyre qysh në Stamboll.

Kuvendi i Fierit, gusht 1912, është një ngjarjee rëndësishme në historinë shqiptare. Siç duket kryengritja e përgjithshme shqiptare në Veri e Jug të vendit, kishte ende dilemat e saj, pasi Qeveria e Stambollit, nuk po i jepte përgjigje kërkesave dhe memorandumeve që ishin nënshkruar në Gerçe,Drashovicë, Cepo dhe Sinjë. Është pikërisht ky moment,që kryengritësit e Vlorës, Mallakastrës, Beratit,Tepelenës, Gjirokastrës e Delvinës, u mblodhën në Fier,ku mori pjesë edhe Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi. Në Sinjë më 10 – 23 korrik 1912 u mblodhën krerët e çetave të jugut të Shqipërisë, të cilët përgatitën një memorandum me 12 pika dhe ia nisën Portës së Lartë. Kërkesat ishin të njëjta me memorandumet e tjerë, pra kërkohej një qeverisje me shqiptarë, ku Sulltani kishte të drejtë të dërgonte një inspektor për të kontrolluar zbatimin e ligjeve etj. Si gjithmonë, përgjigjepër këto kërkesa nuk pati. Është pikërisht ky moment,që krerët e kryengritësve,u mblodhën në Fier, ku mori pjesë edhe Ismail Qemali e Luigj Gurakuqi.

Nga ndriçimi që i kemi bërë këtij problemi del se Cakrani u bë qendra kryesore, ku u mblodhën të gjithë përfaqësuesit e çetave kryengritëse të Toskërisë. Midis tyre në Cakran ishin edhe I. Zavalani, P. Cale, N. Delvina,A. Shehu, I. Guri, H. Liku, Sh. Kolonja, Baba AhmetTurhani, Ibrahim Selimi dhe çetat e Baba Medin Gllavës dhe Kamber Velabishtit, të cilët kishin qenë në mbrojtje të Kuvendit të Sinjës. Krahas tyre duhen shënuar edhe marrëdhëniet e cakranjotëve me vlonjatët, pasi në këto ngjarje, vlonjatët I. Abdullau, H. Isai, A. Mehmeti, B.Velo, A. Selfo etj, kishin miqësi të vjetër e bashkëpunim me cakranjotët. Nga bisedat me të moshuarit, ata që u bënë promotorë të kësaj lëvizje të madhe kombëtare në Cakran,ishin R. Gorishova, B. Cakrani, A. Rrapo, I. Klosi, K.Belishova, F. Patozi etj.

Cakrani u bë një nga qendrat më të rëndësishme për ndërlidhjen midis patriotëve të angazhuar në veprimtarinë për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në të shumtën e rasteve, patriotët vlonjatë e kishin më të lehtë të ndërlidheshin me qytetet e tjera e sidomos me Beratin, Tepelenën, Durrësin , Lushnjën etj, nga Cakrani, ku shpesh, dikush prej tyre do të gjendej aty.

Ibrahim Abdullahu dërgonte letër Hamza Isait që të shkonte në Mesaplik, apo Komiteti i Korfuzit i dërgonte Bektash Cakranit letër për organizimin e kryengritjes së armatosur, ashtu si dhe nga Cakrani dërgoheshin letra e udhëzime në Berat, Elbasan, Skrapar e Durrës për pritjen e I. Qemalit, apo për masa të tjera që duheshin marrë me shpejtësi. Kjo veprimtari kishte vite që zbatohej, pasi nga Cakrani niseshin çetat kryengritëse për luftime anti xhonturke. E tillë ishte situata edhe në verën e vitit 1912.

Muaj gusht i vitit 1912 është preludi i vendimit më të rëndësishëm, për fatet e Shqipërisë. Deri në këtë takim, në të gjitha grumbullimet e organizuara kundër Portës së Lartë, por edhe kundër synimeve pushtuese të vendeve ballkanike, është kërkuar që të shpallej autonomia e Shqipërisë nën Turqinë. Ardhja e Ismail Qemalit nga vizitat që kishte bërë në disa shtete të Europës dhe takimi i organizuar në Fier më 12 gusht1912, bënë që të analizoheshin më së miri kushtet e brendshme dhe ato ndërkombëtare, duke arritur në konkluzionin se Shqipëria duhej dhe mund të shpallte Pavarësinë e saj, duke u shkëputur përfundimisht nga nënshtrimi i Turqisë.

Në takimin e Fierit, të 12 gushtit 1912, cakranjotët përfaqësoheshin nga vëllezërit Hajredin e Bektash Cakrani, por dhe nga përfaqësues të fshatrave përreth, si: Rushit Gorishova e Musa Hamiti (Hekali) etj. Ashtu si tregohet në kujtimet e Ibrahim Abdullahut e të S.Kolekës, dërgata e Vlorës në këtë takim përbëhej nga shumë patriotë, të cilët në përfundim të mbledhjes në Fier, do të shoqëronin Ismail Qemalin për në Vlorë.

Kohët ishin shumë të paqarta dhe rreziku për kapjen,arrestimin, apo edhe eliminimin fizik të udhëheqësit tashmë të njohur dhe i shpallur antiturk, I. Qemali, ishin evidente, prandaj vlonjatët, pasi u konsultuan midis tyre dhe me Hajredin Cakranin, që tashmë ishte komandant i batalionit Mustahfez të Fierit, vendosën t`i propozonin I.Qemalit, që të bujtnin atë natë në Cakran dhe të nesërmen, e kishin më të lehtë kalimin për në Vlorë. Ashtu u bë, por jo vetëm kaq.

Atë natë në konakët e Bektash Cakranit u mblodhën shumë përfaqësues të fshatrave përreth e më gjerë. Ajo natë u kthye në njët akim edhe më të gjerë, ku u dhanë porosi e u morën vendime të rëndësishme. Në kujtimet e vlonjateve por edhe të vendasve, thuhet se në konak ishin mbi dyzet vetë që përfaqësonin gjithë zonën e Cakranite të Mallakastrës, si dhe nga Vlora.

Duhet njohur fakti që Cakrani ishte qendër e sigurt,ndaj dhe u zgjodh që të bëhej takimi i I. Qemalit me krerët e Mallakastrës. Toli Arapi, thoshte: “në Cakran kemi Esat maxhorin” (Shtatmadhorinë); Thanas Floqi equante Cakranin “Republika e Cakranit”. Po ky thoshte se, çdo gjë që bëhet në Vlorë, Fier e Berat, në Cakran nuk ndihet. Përveç këtyre, Cakrani njihej dhe si vendi besës, mikpritjes e mbrojtjes, gjë të cilën e pranonin shumë figura të njohura të Vlorës, Beratit, deri në Delvinë, Gjirokastër e Korçë.

12 – 13 gushti është datë historike për Cakranin, sepse, pas Skënderbeut, Ismail Qemali ishte i pari kryeministër i një Shqipërie të Pavarur,që i bënte nder kujtdo fshati e krahine, kudo që të shkelte këmba e tij. Pas këtij takimi, ai u hodh në vaun e Selishtës nga varkëtari Jonuz Laze e u kthye në Vlorë.

Në vjeshtën e vitit 1912, me shpërthimin e Luftës së Parë Ballkanike, atdhetarët shqiptarë, duke parë rrezikun e copëtimit të Shqipërisë nga monarkitë e Ballkanit, vendosën të shkonin drejt Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Në këto kushte edhe Cakrani,me atdhetarët e vet, ka luajtur një rol të veçantë e të rëndësishëm. Së bashku me atdhetarët e tjerë të Vlorës, si Xhemil bej Vlora, Qazim Kokoshi, Elmaz Xhaferi, Leonidha Bezhani, Hamza Isai, Et`hem bej Vlora dhe Ibrahim Abdullai, si përfaqësues i Cakranit dhe Mallakastrës, Bektash Cakrani hyri disa herë në marrëveshje me Ismail Qemalin në Vjenë dhe Romë, dhe ishte njëri nga organizatorët e Kuvendit historik të Vlorës 28 Nëntor1912.

Në arkivin e shtetit gjendet një telegram i Bektash Cakranit, datë 19 nëntor 1912, dërguar nga Vlora në Berat, Hazis Pashë Vrionit dhe mëmëdhetarëve të atjeshëm, ku thuhet: “E ardhmja e Shqipërisë u sigurua. Shkëlqesia e tij Ismail Qemali me shokët e tij të ndershëm janë nisur prej Budapestit drejt për këtu, që të gjenden në Mbledhjen e Përgjithshme Kombëtare, e cila do të bëhet në Vlorë dhe kanë lajmëruar telegrafisht se nesër mbërrijnë në Durrës. Në telegramin që erdhi, porosit që të dërgohen atje karroca ose kuaj për të hipur prej Beratit. Ne që këtej filluam të dërgojmë kuajt. Mirëpo nga shkaku që Vjosa ka ardhur shumë e nuk ka va, karrocat e kuajt që, pa fjalë, nesër mbrëma duhet të gjenden në Durrës,shihet nevoja të dërgohen nga Berati. Prandaj, lutemi, të kini mirësinë t`i gjeni aty e t`i dërgoni edhe na lajmëroni me të shpejt. Bektash Cakrani”

Një tjetër telegram i dërguar prej Luigj Gurakuqit nga Durrësi më 22 nëntor 1912 i drejtohet Et`hem bej Vlorës dhe Bektash Cakranit me këtë tekst: “Me urdhër të Ismail Qemal Beut, ju bëhet me dije se, pas dy orësh,duhet të ndodheni në zyrën telegrafike…”. Biseda e Luigj Gurakuqit me këta mëmëdhetarë ishte rreth gjendjes në qytetin e Vlorës dhe masave të marra për përgatitjen e Kuvendit historik.

Në Kuvendin historik dhe Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912, Hajredin Cakrani u zgjodhdelegat i Beratit, Fierit e Mallakastrës dhe është një nga firmëtarët e Aktit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.
Sigal