Petrit Vasili: Koha për të kryer Vetingun e Vetingut dhe për të shpëtuar Drejtësinë nga gremina e Theo Jakobs-ve të OMN

273
Sigal

Nga Petrit Vasili

Kriza e integritetit moral dhe juridik të Vetingut është treguar gjerë e gjatë dhe me shembuj pa fund.

Vetingu për fat të keq është karakterizuar nga:

Kapja dhe nepotizmi i hapur politik,

Aplikimi i dukshëm dhe i hapur i dy standardeve.

Degradimi në një Inspektoriat të lartë të Deklarimit të pasurive duke përbuzur kriteret e integritetit dhe profesionalizmit,

këto janë dimensionet thelbësore negative, që kanë karakterizuar zbatimin dhe kanë tronditur në themel integritetin e tij.

Rasti Imeraj ku këtyre elementeve ju shtua edhe stigma e përbuzja krahinore është metafora juridike e morale e degradimit thuajse pa kthim të Vetingut.

Nga një institucion, që pretendohej të ishte shembullor në përmbajtje dhe në forme përsa i përket pra respektimit të ligjit, procedurave, paanshmërisë dhe trasparencës absolute, përkundrazi Vetingu ka degraduar në një institucion të rëndomtë të politizuar, subjektiv në gjykim, të njëanshëm dhe me dy standarde.

Kulmi arrin kur me dokumente e dëshmi të personave inekzistentë dënohen gjyqtarë dhe prokurorë.

Qofte pala shqiptare ashtu edhe ONM, janë në një garë se kush do të dështojë keq e më keq në kualitetin e argumentimit të çështjeve.

Justifikimi i pasurive të padeklaruara si në rastin Dvorani dhe dënimi për shuma absolutisht qesharake të gjyqtareve e prokurorëve të tjerë, apo edhe fshehja e vlerësimit të kryer për disa të tjerë, janë prova emblematike të një Vetingu, i cili vetëm i pavarur dhe objektiv nuk është.

Rasti Imeraj i ka së bashku të gjitha dukuritë negative.

Por akoma më e rëndë bëhet situata lidhur me pandëshkueshmërinë e anëtarëve të Vetingut, të cilët shpërdorojnë detyrën dhe demostrojnë me këto vendime e qëndrime antiligjore dhe antikushtetuese se Vetingu është kthyer në një mashë të rilindjes dhe të interesave private të anëtarëve të tij.

Pandëshkueshmëria e tyre veçse rrënon Vetingun vetë dhe Reformën në Drejtësi në tërësi.

Sytë nuk mund të mbyllen më.

Duartrokitjet propagandistike të rilindjes dhe të disa diplomatëve nuk mbulojnë dot këtë dështim dhe zhgënjim të plotë.

Koha për të kryer Vetingun e Vetingut është tani, për të shpëtuar Drejtësinë nga gremina ku po bie.