Gjarpri dhe njeriu, të lidhur që nga koha e Adamit dhe Evës, kanë dhënë dhe kanë marrë nga njëri – tjetri jo vetëm pabesi dhe mollë. Për fakirin e Shkretëtirës Blu, Rabiun, kjo nuk kishte fare rëndësi, mbase nga që nuk e dinte historinë e fillesës, mbase sepse e dinte dhe i dukej një truk, ose nga që e ndiente veten zot të gjarpërinjve, ndaj dhe nuk donte të dëgjonte e të flitej për zotër të tjerë. Fakiri i ri ishte vetëm njëzet vjeçar, i bukur, me sy kaq blu, saqë shpesh vajzat rrotull thonin se shkretëtira e tyre kish reflekset e syve të Rabiut.
Thonin se ai bënte dashuri me gjarpërushet. Mbase kjo mund të kishte në thelb diçka të vërtetë, sepse në ato kohë në rrethinat e Shkretëtirës Blu, u dukën disa gjarpërinj që kishin sytë e Rabiut. Fakiri i ri nuk donte t’ia dinte, jetonte mes gjarpërinjve të dehur nga tingujt e fyellit të tij. Gjarpërinjtë në shkretëtirë u shtuan shumë, madje, u bënë shqetësues për banorët rrotull, sepse gjarpërinjtë e vegjël tashmë nuk kishin aspak frikë, por hynin nëpër kasollet, si disa mysafirë të përjetshëm. Atëherë, kryetarët e fiseve vendosën ta thërrasin Rabiun. Ai pranoi dhe u paraqit, ashtu trupmadh e i bukur, i shoqëruar nga një skortë gjarpërinjsh të llojeve të ndryshëm: kobra, nepërka, boa, anakonda, me zile, gjithçka. Fyelli i rrinte në brez si një gjarpër i ngrirë. Kryetarët e fiseve, hijerëndë, i thanë se kërkonin që t’i largonte gjarpërinjtë nga shkretëtira e tyre. Rabiu, buzëqeshur, u shpjegoi se ai kishte arritur t’i zbuste gjarpërinjtë, madje t’i afronte me njerëzit, siç kishin bërë dikur paraardhësit e tij me delet. Po kryetarët e fiseve nuk përfillnin argumente të tilla, për ta kish rëndësi e sotmja, jo e ardhmja, ndaj, duke përdorur fjalët dhe gishtat kërcënues (pa u shkuar ndërmend se edhe gishtat kërcënues kishin formën e gjarpërinjve gati për sulm), i thanë djaloshit se ai duhej t’i largonte gjarpërinjtë sa më shpejt, në të kundërt, do t’i vinin zjarrin shkretëtirës dhe do t’i digjnin ato farë gjallesash.
…
për më tepër lexoni Gazetën Telegraf



















