Përvjetori i luftës në Ukrainë/ Erion Veliaj me qytetarët në manifestim: Tirana solidarizohet me të drejtën e çdo kombi për të qenë i lirë

91
Sigal

Përvjetori i luftës në Ukrainë

Erion Veliaj  me qytetarët në manifestim: Tirana solidarizohet me të drejtën e çdo ukrainasi për të qenë i lirë

Kreu i Bashkisë dha mesazhin se Tirana nuk ka harruar, por është solidarizuar me aq sa mundet për të mbështetur e ndihmuar Ukrainën mike.

 Qytetarët në Tiranë zhvilluan një manifestim, pas ftesës së kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas. Në marshim, së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, morën pjesë ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali etj.“Jam mirënjohës për të gjithë qytetarët e Tiranës që janë këtu. Pavarësisht bindjeve tona politike, ne jemi mbledhur për të treguar se kjo histori nuk njeh moshë, kjo histori njeh karakter, nëse karakteri ynë është në vendin e duhur, atëherë përtej çdo diference tjetër, ne sot qëndrojmë me Ukrainën. Jam krenar që sot Tirana ka një rrugë me emrin “Ukraina e Lirë”. Nuk ka fabul më të bukur sesa ta nisnim këtë marshim nga rruga “Ukraina e Lirë”, për të përfunduar në atë që quhet “Parku Europa”, si një metaforë e rrugëtimit tonë. Se nëse nuk jemi të lirë vetë, nuk shkojmë dot në Europë, e nëse nuk luftojmë për lirinë e vendit tonë, nuk e kemi destinacionin e asaj që quhet Europë edhe vokacionin tonë perëndimor”, -tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë dha mesazhin se Tirana nuk ka harruar, por është solidarizuar me aq sa mundet për të mbështetur e ndihmuar Ukrainën mike.

“Përpara pak muajsh isha në Kiev, në Ukrainë, dhe pata një takim me Presidentin Zelenski dhe me Kryetarin e Bashkisë së Kievit, Kliçkov. Nuk kam për ta harruar një bisedë me Presidentin Zelenski, i cili më tha: “Kisha dy shqetësime, dy frikëra. Frika e parë ishte se do niste agresioni dhe pushtimi. Kjo ndodhi. Dhe s’ka asgjë që ne mund të bëjmë për ta kthyer mbrapsht atë që ndodhi. Frika ime e dytë është nëse bota do na harrojë. Harresa është ndoshta tragjedia më e madhe e agresionit. Për këtë – tha ai – dua ndihmën tuaj, të kryetarëve të tjerë të bashkisë, të të gjitha qyteteve, popujve, shteteve, që kjo e dyta të mos ndodhë; të mos harrohet, të mos injorohet, të mos neglizhohet. Ndaj, dua që të gjithë të japim një mesazh nga Tirana se jo vetëm nuk harrojmë, por që jemi të mobilizuar me aq sa mundemi, aty ku mundemi dhe ashtu si mundemi, për të mbështetur, për të ndihmuar, për të përkrahur dhe për t’u solidarizuar me Ukrainën mike, me Ukrainën heroike dhe me Ukrainën Europiane”,- u shpreh Veliaj.