Sigal

Presidenti Ilir Meta ka sjellë në vëmendje përvjetorin e çeljes së Kolegjit arbëresh të Shën Adrianit, që u kthye në një qendër të rëndësishme arsimore, kulturore dhe atdhetare të arbëreshëve të Italisë.

Presidenti Meta ka shkruar se për nga rëndësia, ky institut arsimor është unik, teksa ka shtuar se ruan mbresa të shkëlqyera nga vizita historike në këtë Kolegj së bashku me Presidentin e Italisë Sergio Mattarella në nëntor të vitit të kaluar.

Ja postimi i plotë i Metës:

Si sot, në vitin 1734 u çel Kolegji arbëresh i Shën Adrianit që u kthye në një qendër të rëndësishme arsimore, kulturore dhe atdhetare të arbëreshëve të Italisë. Jeronim de Rada, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani dhe një plejadë e vyer e shkrimtarëve e dijetarëve arbëreshë të ngulimeve të Kalabrisë e të Bazilikatës kanë ndjekur këtë institut arsimor, që nga rëndësia, roli dhe kontributi i tij në fushën kulturore, atdhetare dhe kombëtare është unik.
Ruaj mbresa të shkëlqyera nga vizita historike në këtë Kolegj së bashku me Presidentin e Italisë Sergio Mattarella në nëntor të vitit të kaluar.