Sigal

49% e Kompanisë që bleu Telekom Albania zotërohet nga sipërmarrësi shqiptar Elvin Guri

Telekom Albania, operatori i dytë i telefonisë celulare në vend, u ble dy ditë më parë nga dy individë, njëri shqiptar dhe tjetri bullgar, përmes kompanisë “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD është krijuar më 21 nëntor 2018 me kapital aksioner prej 50 mijë BGN (leva bullgare), rreth 25 mijë euro. Dy janë aksionerët e saj: Spas Dimitrov Rusev me 51% të aksioneve dhe Elvin Vehip Guri me 49% të aksioneve, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë, të dhënat e të cilit u mundësuan për “Monitor” nga “SEE News”, njësia inteligjente bullgare për lajme biznesi e kërkime tregu për Evropën Juglindore. Sipas Dimitrov Rusev, është një sipërmarrës bullgar, i cili në vitin 2016 ishte në krye të konsorciumit që mori kontrollin e operatorit kryesor bullgar të telefonisë celulare Vivacom (të regjistruar si Kompania Bullgare e Telekomunikacionit, BTC) nga VTB Capital (krahu i bankingut investues i ruses VTB) dhe ka rolin e partnerit strategjik edhe te Albania Telecom Invest AD, përmes njohurive në fushën e telekomunikacionit.

Bizneset e Elvin Gurit në Bullgari

Elvin Guri, një sipërmarrës bullgar me origjinë nga Shqipëria, i cili u largua për në Bullgari në vitin 1992 për të ndjekur studimet në Universitetin Amerikan të Bullgarisë, e nisi aktivitetin me institucionin jo bankar financiar JetFinance, të cilin ia shiti më pas grupit francez BNP Paribas. Përpara se të bëhej sipërmarrës, Guri punoi për PricewaterhouseCoopers dhe BERZH në Sofje dhe Londër. Aktualisht në Bullgari, Elvin Guri është aksioner 100% i fondit bullgar River Styxx Capital EAD, të krijuar në vitin 2008 dhe që ka një kapital themeltar prej 71,429 BGN (rreth 36.5 mijë euro). River Styxx Capital raportoi të ardhura prej rreth 417 mijë eurosh në 2017-n dhe humbje prej rreth 530 mijë eurosh. 2015-a ishte më i miri i tre viteve të fundit, teksa të ardhurat ishin rreth 1.15 milionë euro dhe fitimet 382 mijë euro, sipas të dhënave zyrtare nga Regjistri Bullgar i Tregtisë (shih tabelën).

Në Shqipëri, River Styxx Capital hyri në vitin 2011, përmes blerjes së 19.72% të aksioneve të shoqërisë që vepronte në fushën e mikrofinancës, Final, duke e rritur gradualisht zotërimin deri në 38.11 % (aksionerë të tjerë të Final ishin Balfin me 38.4% dhe disa individë). Në gusht 2018, River Styxx Capital e shiti gjithë kuotën që zotëronte në Final, së bashku me aksionerët e tij, tek shoqëria e mikrofinancës, IuteCredit, që tashmë zotëron 100% të Final.
Në gusht të vitit 2017-s, River Styxx Capital arriti një marrëveshje për të blerë 85% të aksioneve të Telenor Bank në Serbi. Në bazë të kësaj marrëveshje për partneritet strategjik, grupi norvegjez i telekomunikacionit Telenor do të mbajë 15% të kapitalit në Telenor Banka, një bankë serbe online. “Investimi në Telenor Bank dhe vendosja e marrëveshjes tregtare dhe kapitale me Telenor është një mundësi e pashembullt për të hyrë në tregun serb, një treg që vazhdon të ofrojë mundësi tërheqëse për rritje,” tha CEO i River Styxx Capital, Elvin Guri, në një deklaratë, raportuan mediat në atë kohë. Por, marrëveshja nuk mori miratimin e Bankës Qendrore të Serbisë në shkurt të vitit 2018. Marrëveshja nuk mori miratimin pasi dokumentacioni nuk plotësonte kushtet e vendosura nga autoritetet rregullatore, raportoi media lokale serbe Vecernje Novosti, duke cituar burime nga banka qendrore serbe. Në Bullgari, krahas River Styxx Capital. Guri është aksioner me 27.5% të kuotave tek EMP Invest Bulgaria AD, një firmë private kapitali, me qendër në Sofje, Bullgari.

Shitja e Telekom Albania

Grupi grek OTE- i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, Deutsche Telecom – dhe zotëron 99.79% të aksioneve të Telekom Albania- njoftoi zyrtarisht se “OTE ka hyrë në një marrëveshje për të shitur kuotën e saj të plotë në Telekom Albania Sh.A. (Telekom Albania) tek kompania bullgare Albania Telecom Invest AD për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. Albania Telecom Invest AD kontrollohet ngaz. Spas Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare Vivacom, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor bullgaro-shqiptar”. Transaksioni iu nënshtrohet procedurave normale të përfundimit, duke përfshirë miratimin nga autoritetet kompetente dhe financimin, dhe pritet të përfundojë në gjysmën e parë 2019, njoftoi OTE. Telekom Albania kishte të ardhura prej 9.1 miliardë lekësh në 2017-n, ndërsa raportoi humbje tepër të larta prej 4.8 miliardë lekësh (më se gjysma e të ardhurave) në 2017-n, apo rreth 36 milionë euro, pas fitimeve minimale prej 155 milionë lekësh në 2016-n, sipas bilancit zyrtar. Humbjet erdhën pas një periudhe të artë, kur OTE, që bleu Telekom Albania (ish AMC) për 80 milionë euro në vitin 2000, shënonte fitime mjaft të larta. Rekordi është arritur në vitin 2008, me fitime para taksave që ishin rreth 110 milionë euro, teksa norma EBITDA (fitimet para interesave, taksave, zhvlerësimit dhe amortizimit) arrinte deri në 80%. Pas 2008 fitimet ranë gradualisht për të arritur në 30 mln euro në vitin 2013 dhe 17 mln euro në 2014, për të kaluar më pas me humbje të larta në 2017, sipas të dhënave historike të analizuara nga “Monitor”./Monitor