Përmbytje në Lezhë, Krujë, Shkodër, Elbasan e Librazhd, Panariti: Do ndërhyjmë urgjent

556
Sigal

Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë përmbytur qindra mijëra hektarë tokë në zonën fushore të qarkut të Lezhës në Krujë dhe në qarkun e Shkodrës. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, zhvilloi dje një inspektim në zonat e përmbytura në qarkun e Lezhës. Ministri Panariti inspektoi gjithë zonën e përmbytur, duke nisur nga zona e Balldrenit, Kakarriqit dhe u ndal në komunën Dajç për të parë nga afër situatën dhe për të biseduar me zyrtarë dhe  banorë të zonave të përmbytura, ku lumi Gjadër ka dalë nga shtrati. Ministri Panariti, pasi u njoh me situatën, deklaroi krijimin e një shtabi emergjencë për këtë qark, të kryesuar nga vetë ai, i cili do të detajojë një plan ndërhyrjeje për të pastruar anët e lumit Gjadër në një gjatësi 12 km, por edhe për të pastruar kanalet e dyta dhe të treta që kalojnë nëpër parcelat e banorëve. Ministri Panariti me këtë rast kërkoi bashkëpunimin edhe të banorëve dhe pushtetit lokal për të pastruar gjithë kanalet kulluese të para, të dyta dhe të treta. Ndërhyrja do të nisë me fondet e Ministrisë së Bujqësisë, sapo të evadohen ujërat nga sipërfaqet e përmbytura aktualisht.

Shtabi i Emergjencave: Janë përmbytur 3500 ha tokë

Shtabi i Emergjencave për qarkun e Lezhës bën me dije se janë përmbytur 3500 hektarë tokë. Nga këto 1500 hektarë janë nën ujë në zonën e Zadrimës dhe 1500 hektarë janë përmbytur në zonën e Kakarriqit. Sipas shtabit të emergjencave prezencë uji ka edhe në 150 banesa. Po kështu rreth 300 hektarë tokë ndodhen nën ujë në Shën Koll e Zejmen, ndërkohë në Fushë Gjormë të Kurbinit janë përmbytur 200 hektarë tokë.

Shkodër

Reshjet e shiut kanë kërcënuar zonën e Nënshkodrës, ku u përmbytën tokat bujqësore në Komunën Bushat, Dajç i Bregut të Bunës, Velipojë, Ana e Malit dhe ajo e Gurit të Zi, , por edhe disa banesa të fshatrave në këto komuna. Probleme u krijuan dhe në qytetin e Shkodrës, kryesisht në lagjet periferike. Krahas fshatrave të komunës Bushat, hartës së përmbytjeve në zonën e Nënshkodrës i janë shtuar edhe zona të tjera, ku më problematike situata duket te zona e Urës së Gjo Lulit, aty ku sipërfaqe të tëra bujqësore mbulohen nga uji. Ndërkohë që i kërcënuar është edhe aksi rrugor Shkodër-Velipojë, për shkak të pranisë së madhe të ujit pranë urës së Gjo Lulit. Hidrocentrali i Vaut të Dejës po punon me kapacitet të plotë, me tetë turbina në punë, ndërkohë që liqenet përkatëse të hidrocentraleve në kaskadën e Drinit, kanë rezerva të bollshme për të pritur dhe depozituar reshjet e pritshme të shiut, pa qenë nevoja për shkarkimin e ujit në këtë kaskadë.

 Lezhë

Pas reshjeve intensive të shiut, dhe daljes nga shtrati të lumit “Gjadër”, Prefekti i qarkut të Lezhës, Ndrec Deda deklaroi se është e domosdoshme ndërhyrja për thellimin e shtratit të këtij lumi, ku prej 25 vjetësh nuk ka pasur asnjë investim të kryer në të. Reshjet e dendura të shiut, përgjatë gjithë natës e në vazhdim, sasia e të cilave arriti nga 90 -120 m.m, bëri që niveli i ujit në lumin “Gjadër”, sikurse ndodh për çdo vit, të ketë qenë mbi parametrat e tij, duke bërë që sipërfaqe të tëra toke të vihen nën prezencën e ujit. Nën prezencën e ujit ndodhen rreth 3 mijë ha tokë, 600 ha prej të cilave janë tokë e mbjellë.

Deda përjashtoi përmbytjen e banesave nga uji, ndonëse në disa prej tyre, ai tha se uji ka depërtuar në oborret e shtëpive, por pa shkaktuar dëme në blegtorinë e banorëve apo dëme të tjera të konsiderueshme.

Krujë

Përmbytje të mëdha janë shënuar edhe në Krujë. Qindra hektarë tokë janë mbuluar nga uji në komunat Bubq dhe Thumanë. Përmbytje ka në fshatrat Murqinë, Mallkuç, Bilaj dhe Dukagjin. Pjesa më e madhe e sipërfaqeve të përmbytura në Krujë janë të mbjella. Shkak për përmbytjet është bërë bllokimi i kanaleve dhe dalja nga shtrati i lumit Ishëm.

 Elbasan

Kur reshjet e shiut janë të dendura  rikthehen problemet me përroin e Zaranikës, i cili përshkon perëndimin e qytetit të Elbasanit. Janë disa lagje dhe zona informale që rrezikojnë përmbytjet nga përroi i Zaranikës, pasi agjinatura dhe diga e përroit janë pothuajse të shkatërruara dhe jashtë funksionit të tyre. Drejtori i Bordit të Kullimit, Astrit Xhelili, u është drejtuar institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë sa më parë për zgjidhjen e kësaj situate.

 Librazhd

Rreshjet e rëna  këto ditët e fundit kanë krijuar mjaft probleme për  shumë nga banesat dhe tokat bujqësore gjatë gjithë luginës së Shkumbinit. Nga shirat janë të rrezikuara disa banesa  te “ish-poligoni i qitjes”,lagjja e ish NSHN-së, që është lagja dhe më e rrezikuar etj. Ndërkohë që është shembur dhe një nga muret mbajtëse mbi Fushën e Sportit dhe të urës që lidh Librazhdin me rrugën kryesore.