“Perimetri”/ Bie në prangat e policisë 19-vjeçari, i mori 400 euro emigrantëve, duke i “premtuar” kalimin në BE

194
Sigal

Në prangat e policisë Korçë ditën e sotme ka rënë një 19-vjeçar, në vazhdën e operacionit “Perimetri”. I riu I.K., është kapur në aksin Pogradec-Podgorie, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Podgories”, nga policia, pasi ishte duke transmetuar në drejtim të Tiranës 5 emigrantë të paligjshëm.

Sipas policisë 19-vjeçari përfitonte nga ky shërbim 400 euro për çdo emigrant, e i premtonte atyre kalimin në vendet Evropiane.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Qarku Korçë

Vijon operacioni policor “Perimetri”.

U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit I. K., 19 vjeç, banues në fshatin Zvirinë, Maliq.

Shtetasi i mësipërm, u kap nga shërbimet e policisë rrugore, në aksin Pogradec-Podgorie, pranë vendit të quajtur “Lapidari i Podgories”, duke transportuar në drejtim të Tiranës, me mjetin tip “Audi”, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 400 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.