Peleshi: Ndalojmë pesticidet që dëmtojnë kolonitë e bletëve

548
Sigal

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Niko Peleshi në një takim me bletarë nga Lezha ka bërë të njohur urdhrin për ndalimin e disa pesticideve, si shkaktarët kryesorë, të dëmtimit, reduktimit dhe zhdukjes të bletëve. Ky shqetësim i cili nuk prek vetëm bletarinë shqiptare, por është një problem mbarëbotëror. Sipas statistikave zyrtare numri i kolonive të bletëve në botë është reduktuar me 40%. Ministri është shprehur shumë i kënaqur që vendi ynë, është nga të parët vende jo anëtarë që ka adoptuar dhe nënshkruar vendimin e Bashkimit Evropian, duke e kthyer në akt ligjor për mbrojtjen e bletëve.

“Unë kam kërkuar dhe udhëzuar të bëjmë realitet, këtu e kam urdhrin, le t’i bashkohemi një vendimi të Komisionit Evropian të para pak ditëve lidhur me ndalimin dhe përdorimin e disa pesticideve, që sipas studimeve të zhvilluara nga ekspertët evropianë, janë nga shkaqet kryesore të dëmtimit, të zhdukjes apo reduktimit të kolonive të bletëve në Evropë. Bëhet fjalë për tre pesticide. Ne vullnetarisht jemi bashkuar, mund të jemi vendi i parë në Evropë, nga vendet jo anëtare të Bashkimi Evropian që i bashkohemi brenda pak ditësh këtij vendimi të Komisionit Evropian dhe po e kthejmë në një akt ligjor, ndalimin në Shqipëri nëpërmes një urdhri, që do të firmoset sot.”

“Ne ndalojmë përdorimin e këtyre 6 lëndëve vepruese, sipas studimeve të Bashkimit Evropian, Komisionit Evropian mendohet se janë dëmtuesit kryesorë të bletëve. Siç e thashë, dhe siç e dini më mirë se unë, ky është shqetësim jo vetëm shqiptar, është mbarëbotëror.”

Bëhet fjalë për Fenazaquin, Bifenthrin, Neonicotinidet: Clothianidin, Thiamethoxam dhe Imidacloprid. Ministri ka përgëzuar bletarët shqiptarë, të cilët janë të organizuar në shoqatë, por ka dhe shumë bletarë të tjerë, të cilët janë të vegjël dhe kanë nevojë për mbështetje, këshillimi dhe informim në lidhje me të rejat e fundit. Pasi qëllimi i qeverisë është ta kthejë bletarinë në një ekonomi mbështetëse për të kompensuar të ardhurat e pakta që fshati shqiptar ka. Pasi është një fushë shumë delikate që kërkon mbështetje dhe këshillim. Kërkon mbështetje me analiza, laboratorë, mbështetje me subvencione. Ministri është shprehur gjithashtu dhe për mbështetjen që ky sektor do të marrë nga Skema Kombëtare, me 10 mijë lekë për koshere. Të gjithë aplikuesit pothuajse kanë dalë fitues.