Pedagogët sërish në protestë, Meta: Qeveria injoroi kërkesat e tyre për paga dinjitoze. Të bashkohen në tubimin e opozitës

101
Sigal

Pedagogët i janë rikthyer sërish protestave një ditë më parë për të kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta shprehet se qeveria injoroi kërkesat e tyre për paga dinjitoze dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor.

Meta i bën thirrje atyre të bashkohen në protestën e opozitës sot duke theksuar se bashkë bëhen më të fortë.

Postimi i Metës

Pedagogët iu rikthyen dje sërish protestës, sepse Qeveria i injoroi kërkesat e tyre për paga dinjitoze dhe rritjen e financimit të kërkimit shkencor në arsimin e lartë.

Në vend që të dëgjoheshin, u kërcënuan dhe u intimiduan nga Qeveria e inceneratorëve që arsimin nuk e ka prioritet.

Ndërkohë që pedagogët shqiptarë janë më të keqpaguarit në rajon, financimi për kërkimin shkencor është më i ulëti.

E kam mbështetur fuqimisht kërkesën e tyre për rritjen e pagave në nivele të krahasueshme me pedagogët e Kosovës.

Nëse nuk përmbushen kërkesat e pedagogëve dhe studentëve, ikja e të rinjve dhe intelektualëve do të vijojë të zgjerojë plagën e shpopullimit, si pjesë e axhendës së “Rilindjes”.

Ndaj i ftoj pedagogët dhe studentët t’i bashkohen sot protestës së opozitës! Llogaridhënie për injorimin e kërkesave të pedagogëve dhe studentëve! Bashkë jemi më të fortë!