Pas karrotës vjen shkopi/ Pasi u miratua rritja e rrogave për ministrat e deputetët, qeveria shqyrton rikthimin e TVSH-së në Arsim dhe Shëndetësi

111
Sigal

Rritja e pagave për deputetët dhe ministrat është padyshim në kushtet e një skandali. Teksa shumë pensionistë dhe familje në nevojë nuk mbyllin dot muajin, deputetët jetojnë në luks dhe sërish përfituan rritje pagash. Skandali tjetër është se nuk ishte as rritje, por dyfishim.

Por edhe pse banditët e Komisionit të Ekonomisë u justifikuan me faktin se duhet ruajtur hierarkia e pagave, në fakt deputetët aktualisht përfitojnë çdo muaj benefite që bashkë me rrogën shkojnë mesatarisht mbi 2.5 milionë lekë të vjetra. Deputetët tanë, përveç pagave kanë dhe benefite të tjera luksi.

Së pari, të gjithë kanë rimbursim të shpenzimeve telefonike. Çdo muaj secili deputet përfiton 17 mijë deri në 20 mijë lekë të reja kompensim për telefonin. Po ashtu ka rimbursim karburanti. Deputetët që lëvizin me makinë në zonat e tyre nuk paguajnë kokërr leku për karburant. Sipas të dhënave të muajit mars, thuajse secili deputet ka përfituar 40 mijë lekë për karburantin e makinës.

Po ashtu secili përfiton dieta për udhëtime jashtë dhe brenda vendit. Në muajin mars dietat variojnë nga 37 mijë lekë në 75 mijë lekë. Po ashtu deputetët përfitojnë honorare për mbledhjet në komisione, që variojnë nga 5 mijë në 18 mijë lekë. Po ashtu ka disa deputetë që përfitojnë dhe qera banese, që shkon në 35 mijë lekë çdo muaj.

Duke bërë disa llogari të thjeshta rezulton se, deri më tani çdo muaj deputetët merrnin nga taksat e qytetarëve në total plot 20 milionë lekë të reja ose 200 milionë lekë. Por me sistemin e ri të pagave kjo shumë do të dyfishohet. Pra çdo muaj, deputetët do marrin në total nga buxheti 400 milionë lekë të vjetra vetëm për pagat e tyre. Ndërkohë çdo muaj marrin dieta, karburant, e telefon në total 15 milionë lekë të reja. Me pak fjalë, me sistemin e ri të pagave, deputetët çdo muaj do marrin nga taksat tona 550 milionë lekë të vjetra çdo muaj. Në një vit kjo shumë shkon në afro 7 milionë euro.

Ndërkohë nëse llogarisim përfitimet individuale, vetëm nga benefitet deputetët përfitojnë nga 1 milionë lekë deri në 1.8 mln lekë. Pra 3 mln lekë pagë dhe mesatarisht 1.5 mln lekë benefite, çdo deputet merr 4.5 mln lekë në muaj. Pra pangopësia është në nivele rekord. /Pamfleti

 “Shkrihet” fondi i Kontigjencës! Qeveria do e përdorë për rritjen e pagave të ministrave dhe deputetëve, fatura 80 mln euro.

 Qeveria do të përdorë Fondin e Kontigjencës për të financuar rritjen e pagave të administratës gjatë këtij viti. Edhe pse Departamenti i Administratës Publike është ende duke përgatitur skenarët e rritjes së pagave sipas sektorëve, përllogaritjet paraprake tregojnë se fatura e përgjithshme pritet të jetë 9 miliardë lekë ose 80 milionë euro.

Në buxhetin e vitit 2023, qeveria ka programuar 12 miliardë lekë si Fond Kontigjencë. Nga këto 3.5 miliardë lekë u përdorën për të financuar bonusin e pensionistëve duke mbetur 8.5 miliardë lekë ende të pashpenzuara. Por veç kontigjencës, qeveria ka parashikuar në buxhet edhe 2.5 miliardë lekë të tjera si fond për politika të reja pagash. Këto dy zëra do të financojnë rritjen e pagave të këtij viti, për nëpunësit e sektorit publik.

Paqartësi shifrash

Pak ditë më parë Kuvendi i Shqipërisë miratoi paketën e ligjeve të reja për pagat në sektorin shtetëror. Për funksionarët e lartë të shtetit, rrogat u rritën ndjeshëm deri në dyfish. Më parë, gjatë muajit të kaluar, qeveria kishte miratuar rritjen e pagave për mësuesit, mjekët dhe disa kategori të tjera të shërbimit publik, në masën nga 7 deri në 10 për qind.

Kryeministri Edi Rama është zotuar se deri vitin tjetër paga mesatare në shtet do të shkojë në 900 euro, çka kërkon një rritje prej rreth 40 për qind të pagave në të gjithë spektrin e sektorit publik. Qeveria ende nuk ka dhënë detaje se si do të fazohet rritja e pagave dhe madje nuk ka bërë publike as faturën buxhetore të këtij viti dhe financimin e saj. Por burime nga DAP dhe ministria e financave, thonë se për këtë vit fatura e rritjes së pagave pritet të luhatet nga 9 deri në 10 miliardë lekë.

Në buxetin e këtij viti, qeveria ka parashikuar 80 miliardë lekë në total si fond pagash për administratën publike. Shtesa prej 9 miliardë lekësh nënkupton rritjen e pagave mesatarisht me 11-12 për qind në sektorin publik. Por meqënëse ajo nis nga prilli, atëherë ky fond përcakton një rritje të pagave në sektorin publik mesatarisht me 15 për qind.

Gjithsesi edhe kjo rritje mbetet sërish larg premtimit të qeverisë për rritjen e pagave me 40 për qind brenda prillit të vitit tjetër. Që do të thotë se qeverisë do t’i duhet të programojë edhe 30 miliardë lekë të tjera shtesë deri në vitin e ardhshëm për të financuar premtimin e saj për rritje pagash.