Pas Holandës edhe Franca kërkon rikthimin e vizave për Shqipërinë

548
Lëvizja e lirë e shqiptarëve vihet në pikëpyetje. Franca ngre alarmin. 75% e qytetarëve shqiptarë kërkojnë azil, situatë e rëndë edhe në Holandë
Franca ultimatum Shqipërisë për tërheqjen e qytetarëve të saj, të cilët kanë dyfishuar numrin e kërkesave për azil. Në rast se nuk merren masa, Franca shprehet se do të kërkojë rikthimin e regjimit të vizave. Të njëjtën gjë pak kohë më parë e bëri edhe Holanda. Ndërkohë që kryeministri Edi Rama e ka konsideruar më herët lajthitje deklaratën e bërë nga Ministria e Brendshme e Holandës. Por tashmë këtë gjë po e kërkon edhe Franca. Ministria e Brendshme Franceze deklaroi se në periudhën janar-gusht të këtij viti, 7256 shqiptarë paraqitën kërkesë zyrtare për azil në Francë, dyfish më shumë se 3 566 kërkesa nga Afganistani, Haiti, Sudani dhe Siria, që janë vende në luftë dhe në mizerie. Tani qeveria franceze nuk sheh zgjidhje tjetër, përveçse të kërkojë të njëjtën gjë si dhe Holanda një muaj më parë: Rivendosjen e vizave për shtetasit shqiptarë, siç bënë për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, duke kërkuar një klauzolë mbrojtëse për rivendosjen e vizave në rast të abuzimit me mikpritjen. Me herët këtë gjë e pati paralajmëruar edhe Ministri i Brendshëm Francez. Shqetësimet për rritjen lartë me 75% të azilkërkuesve në Francë, ministri i Brendshëm Gerard Collomb ia ka shprehur edhe Kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë ky i fundit deri tani nuk ka dhënë asnjë mesazh për qytetarët shqiptarë, të cilët enden rrugëve të Evropës. E vetmja gjë që ka bërë Shqipëria që nga data 1 gusht, është nxjerrja e një qarkoreje nga Drejtori i Policisë së Shtetit, ku renditen masat shtrënguese për të gjithë qytetarët që duan të kalojnë kufirin shqiptar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme Franceze, 7432 shqiptarë kanë kërkuar të fitojnë statusin e refugjatit vetëm në vitin 2016. “Pjesa më e madhe e kapaciteteve pritëse për emigrantët në Francë sot për sot është e zënë nga shtetas shqiptarë, të cilët kërkojnë të përfitojnë statusin e refugjatit, por pjesa më e madhe e tyre nuk mund ta fitojnë këtë status të azilkërkuesit dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin për shtyp të ministrisë së Brendshme Franceze. Pritet që mes dy vendeve të zhvillohet një takim me qëllim gjetjen e zgjidhjeve. Ndërkohë dje Gjykata më e Lartë e Bashkimit Evropian deklaroi dje se shtetet anëtare mund të detyrohen t’i pranojnë azilkërkuesit në vendet e tyre. Gjykata Evropiane e Drejtësisë hodhi poshtë pretendimet e Hungarisë dhe Sllovakisë për të qëndruar jashtë planit që BE filloi të zbatojë dy vite më parë. Plani për risistemimin e 160 mijë refugjatëve që kanë arritur në Greqi dhe Itali, për të lehtësuar barrën e këtyre vendeve. Deri tani janë risistemuar vetëm 24,000 njerëz. Gjykata Evropiane e Drejtësisë deklaroi sot se Këshilli nuk kishte arsye ta miratonte planin njëzëri dhe se ishte e drejta e tij të reagonte “në mënyrë efektive dhe të shpejtë në një situatë emergjence”. Hungaria dhe Polonia kanë refuzuar të pranojnë refugjatë, ndërsa Sllovakia ka pranuar vetëm një pjesë.
Sigal