Pandemia dhe “lufta” SHBA-Kinë rritën kërkesën për bimët medicinale shqiptare

178
Sigal

Në Shqipëri janë rreth 30 kompani që eksportojnë bimë medicinale, që në pjesën dërrmuese të tyre shkojnë në tregje elitare si SHBA, Zelandën e Re, Australi, Francë, Gjermani, apo Itali.

Sipas përfaqësuesve të këtyre kompanive ka një rritje të madhe të kërkesës për këto bimë, që shpesh rriten natyralisht në zonat malore të Shqipërisë në veri dhe jug të vendit, por nuk mungojnë edhe nismat e kultivimit për t’iu përgjigjur kësaj kërkese.

Kërkesa është rritur me mbi 40 për qind brenda një kohe të shkurtër dhe ekspertët thonë se kanë ndikuar dy faktorë; pandemia e Covid dhe lufta tregtare mes SHBA e Kinës, kjo e fundit është prodhuesi kryesorë i bimëve medicinale.

Ky biznes ka tërhequr vëmendjen edhe të mediave të huaja.

“Lufta tregtare mes SHBA dhe Kinës ka përqëndruar shumë aktorë perëndimore që të kthejnë sytë nga tregu shqiptar”, thotë për AFP Filip Gjoka, kryetar i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike Shqiptare.

Nga të dhënat e INSTAT, Shqipëria ka eksportuar rreth 14 mijë tonë bimë mjekësore dhe aromatizuese përgjatë të gjithë vitit 2020 me një vlerë që përllogaritet në rreth 50 milionë euro. Në krahasim me 2019-n ka një rritje me 15 për qind, ndërsa rritja për këtë vit parashikohet të jetë shumë më e lartë, pasi të dhëna zyrtare thonë se vetëm në tre muajt e parë të 2021 eksportet e bimëve medicinale dhe aromatike janë rritur me 20 për qind në krahasim me 2020.

95 për qind e kësaj sasie është eksportuar në SHBA, Australi, Gjermani, Zelandën e Re, Itali, Francë dhe Kanada.

Shqipëria eksporton kryesisht sherebelë, levanter, çaj mali, melisë, rigon, shtog, rozmarinë, kamomil të egër. Këto bimë janë të pasura me vitaminë C si dhe me antioksidantë të fuqishëm, dy elementë që ndihmojnë në forcimin e metabolizmit dhe që janë këshilluar shumë gjatë pandemisë së Covid.

Nga ky aktivitet mendohet se ushqehen në të gjithë Shqipërinë rreth 100 mijë vetë, që janë në të gjithë zinxhirin e tij, që nga mbledhja, përpunimi dhe më pas ambalazhimi dhe eksporti.

Malet e Shqipërisë në veri kryesisht, por edhe në jug janë të mbushura me sherebele, por ajo çfarë ofron vetëm natyre, sipas AFP, tashmë nuk mjafton për të mbuluar kërkesën për eksport të tyre. Ndaj, në zonën e Thethit ka nisur edhe kultivimi i tyre.

“Pati një rritje të menjëhershme të kërkesës dhe duhej të vepronim shpejt për t’iu përgjigjur kësaj kërkese”, thotë fermeri Pjetër Cukaj për AFP.

Por fermerët e këtij sektori thonë se nuk kanë gjetur mbështetje për të zgjeruar biznesin e tij dhe rritur kapacitetet tharëse dhe ruajtëse të këtyre bimëve. Profesionistët e këtij sektori kërkojnë gjithashtu miratimin e një kuadri ligjor që të rregullojë veç mbështetjes financiare për fermerët, edhe garantimin e cilësisë.

“Gjithçka është e pastër, pa pesticide, pa asgjë. Gjithçka është e pastër”, thotë Edlira Licaj për AFP.

91-vjeçarja Drane Cukaj falenderon sherebelën dhe çajin e saj që e konsumon çdo mëngjes për jetëgjatësinë.

“Jeta ime ka qenë në livadhe mes sherebeles, që është dashuria ime. Gjithmonë më ka bërë të lumtur”, thotë nëna e nëntë fëmijëve dhe gjyshja e 40 nipërve dhe mbesave.

Ajo është e bindur se bimët e egra medicinale ndihmojnë në luftën kundër koronavirusit, megjithëse rrëfen se është vaksinuar, sa për siguri.