Panariti në Cërrik: Projekt të përbashkët me Italinë për rivitalizimin e prodhimit të duhanit

536
Ministri Panariti inspekton në Cërrik, parcelën eksperimentale me duhan të tipit “Virginia Bright”.Prodhimi i duhanit në Shqipëri ka pasur një traditë të hershme. Duhani si lëndë e parë për industrinë e prodhimit të cigareve ka shënuar nivele të larta prodhimi në periudhën para viteve ’90-të, çka u shkatërrua pas rënies së ekonomisë socialiste. Zona e Cërrikut në Elbasan njihet si një nga qendrat kryesore të vendit për kultivimin e duhanit. Sot kjo zonë, është përfshirë në një projekt të përbashkët të ministrisë së Bujqësisë me rajonin Umbria në Itali, për rivitalizimin e prodhimit të duhanit cilësor, i cili do të jetë me destinacion eksportin.
Ministri i Bujqësië, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, inspektoi një ditë më parë në Cërrik, parcelën e parë eksperimentale të mbjellë me duhan të varietetit “Virginia Bright”. Ministri tha se, kultivimi i duhanit, është traditë e kësaj zone. Me këtë investim, vijoi ai, synojmë t’i japim një profil europian kësaj industrie, ku janë të punësuar një numër i konsiderueshëm banorësh. Panariti u shpreh se, ky varietet ëshë shumë i kërkuar në tregun ndërkombëtar. “Kultivimi sot i 10 hektarëve të parë do të jetë i destinuar për eksport”, tha Panariti.
Sipas të dhënave nga Open Data Albania, vitin e fundit janë prodhuar në Shqipëri 3000 ton duhan, ose 6,7% më tepër krahasuar më një vit më parë. Kjo vlerë ka shënuar edhe maksimumin e prodhimit të duhanit në vitet e fundit. Një pjesë e prodhimit vendas shkon për konsum të brendshëm dhe pjesa tjetër shkon për eksport. Kjo rritje e prodhimit ka çuar dhe në rritjen e sasisë së eksportit. Vetëm gjatë vitit të fundit janë eksportuar rreth 1,73 mijë ton duhan. Krahasuar me një vit më parë, sasia e eksportuar e duhanit është rritur me 12,4%. Minimumi i eksportit ka arritur në vitin 2009 me 651 ton duhan. Destinacionet kryesore të eksportit të duhanit janë Kosova, Greqia, Libia etj.
Sigal