Panairi Ndërkombëtar i Tiranës, fokus rritjen e sigurisë ushqimore sipas standardeve të BE 

330
Sigal

Siguria ushqimore, gjithëpërfshirja, duke filluar nga prodhuesit deri tek konsumatori, nga interesi import-eksportit apo aplikimi i standardeve, impakti tek konsumatorët, baza ligjore, përputhja e kurrikulave me tregun, si dhe aplikimi i teknologjisë dhe inovacionit në sektor, ishin temat kryesore e forumit të sotëm, i zhvilluar në kuadër të serisë së aktiviteteve të Panairit Ndërkombëtar të Tiranës, organizuar nga Klik Expo Group.

“Siguria ushqimore, është një ndër katër prioritetet e qeverisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, së bashku me inovacionin, eksportin dhe turizmin rural. Si një prioritet parësor, do jetë pjesë e investimeve në kapacitet, përmirësimin e analizave dhe kontrolleve, gjurmueshmërisë, higjienës dhe paketimit”, tha zv/ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Enio Civici. Duke shtuar se synimi është rritja e sigurisë ushqimore dhe arritja në nivelin e Bashkimit Evropian, nëpërmjet krijimit të laboratorëve modernë dhe trajnimeve të burimeve njerëzore.

“Përmes autoriteteve kontrolluese, që prekin gjithë spektrin e kontrollit për ushqimin, veterinarinë dhe bimët, ne do sigurojmë që kontrolli të jetë efektiv, përmes një qasjeje proaktive, bashkëpunuese me secilin subjekt në terma të cilësisë dhe sigurisë ushqimore,” përfundoi fjalën e tij Civici.Të ftuarit në panel ishin prodhues, drejtues kompanish të telekomunikacionit në Shqipëri dhe akademikë, të cilët vlerësuan iniciativën e këtij forumi dhe ndanë mendimet e tyre mbi teknologjinë e avancuar IOT (Internet of Things) në prodhim, bazuar në indikatorë të suksesshëm dhe impaktit që ka siguria ushqimore në aspektin social dhe ekonomik të vendit.