Pali Nito: Pagat dhe pensionet si në Afrikë, çmimet si në Amerikë

239
Sigal

Sipas të dhënave dhe informacioneve që disponoj pagat dhe pensionet në Shqipëri janë tejskajshmërisht të ulta e për rrjedhojë disa shtresa të shoqërisë si pensionistët, qytetarët që trajtohen me asistencë sociale dhe qytetarët, që marrin paga minimale jetojnë në kufijtë e mbijetesës. Është serioze dhe alarmante fakti i pamohueshëm se po ngrihen në mënyrë të tejskajshme dhe marramendëse artikujt ushqimorë e sidomos ata artikuj që janë primarë dhe të domosdoshëm e më se jetike për jetën e njerëzve e sidomos të bulmetit e të produkteve të tij sidomos të djathit, kosit, dhe gjalpit, aq sa një kilogramë djathë kushton më shumë se një kilogramë mish. Rritja në vijimësi e çmimeve veç të tjerave ndodh, sepse ka një mospërputhje ekstreme midis ofertës dhe kërkesës ku kërkesa është tepër agresive dhe dukshëm e përherë në rritje të pandalshme në raport me ofertën, që qëndron në vënd e në pozita të ngrira. Prandaj lipset që organet kompetente nën kërkesën dhe trysninë e qeverisë të marrin masa, të kërkojnë, zbulojnë, gjejnë dhe shpalosin alternativa dobiprurëse që raportet midis ofertës dhe kërkesës të zbuten sa të jetë e mundur e të paraprijë oferta çka do të ndikonte në uljen e çmimeve. Kujtoj se problemin e rritjes së çmimeve e favorizon edhe korrupsioni, papunësia, vjedhjet, dëmtimet e shpërdorimet si dhe disniveli i raporteve midis pagave të larta dhe pagave të ulta dhe pensioneve, raporte këto ekstreme që shkojnë 10 me 20 në favor të pagave të larta, nga 1 me 3 që ishte para viteve 90-të. Një disbalancim galopantë në raportet midis pagave të larta me pagat e ulta tregon qartësisht se sa e pamëshirshme dhe agresive është treguar politika dhe pushtetarët e djeshëm e të sotëm ndaj qytetarëve dhe pensionistëve madje këta të fundit nuk kanë mundësi të paguajnë as faturat e dritave, të ujit e të ilaçeve dhe nevojave të tjera jetësore. Në lidhje me disbalancimet midis të pasurve dhe të varfërve, Plutarku ka thënë: ”Disbalanca midis të pasurit e të varfërit është sëmundja më fatale e të gjitha republikave”. Pra ka qenë fatale dhe sëmundje e vjetër që duhet me patjetër dhe domosdoshmërisht që të diagnostikohet, të kurohet dhe shërohet sa më parë dhe njëherë e përgjithmonë. Mes shumë problematikave negative neve për shkak të politikës së mbrapshtë e sidomos të keqqeverisjes së sotme dhe asaj të djeshme na është bërë peshqesh edhe korrupsioni galopant e që është ulur këmbëkryq e që hedh vallen pogonishte si në organet qëndrore ashtu dhe në ato vendore prej të cilit po rrezikojmë të rrëshqasim fatalisht në një humnerë rrezikshmërisht të rrezikshme e që do të jetë me pasoja të pallogaritshme për ekonominë tonë të brishtë e me resurse të pakta njerëzore, financiare, materiale dhe ekonomike. Në lidhje me korrupsionin dhe paranë, Hasan Zyko Kamberi ka thënë:” Kadiut po i rrëfeve paranë, ters e vërtit sherianë, për para shet dhe tanë”. Është pikërisht kjo arsyeja që gjyqtarët tanë të korruptuar pra nuk po them për të gjithë të korruptuarit, të cilët sa herë që i bëjnë gjygje kur bëhet fjalë për para tersë e vërtisin ligji , japin ndëshkime minimale, ose gjykime në gjëndje të lirë pasi në mes është paraja, e cila nga disa konsiderohet dhe vlerësohet si frymëmarrja e jetës. Në emër të qytetarëve nevojtarë i bëj apel qeverisë që për të mos i patur pagat më keq se në Afrikë dhe çmimet sarando fiu si në Amerikë që të rrisë pagat dhe pensionet pasi i kemi 20% më të ulta se Maqedonia e Veriut, paga minimale në Shqipëri është 45% më e ulët sesa në serbi dhe akoma më e theksuar bëhet po tu referohemi pagave dhe pensioneve në Europë. Është fatkeqësi e turpshme dhe skandaloze që kudo e për çdo gjë e në gjithë veprimtarinë ekonomike e sociale renditemi të fundit nga fundi e që t’i jepet fund kësaj situate, domosdoshmërisht të kërkohen, gjënden e shpalosen alternativa dobiprurëse e sidomos për vendosjen e raporteve të pranueshme midis kërkesës dhe ofertës që mesa të mundemi të frenojmë dhe minimizojmë ngritjen e çmimeve, që bëhet e papërballueshme për mbarë qytetarët hallexhinj shqiptarë.