Paga e luftës, sot afati i fundit. Ç’duhet të bëjnë bizneset që të mos penalizohen

119

Data 5 qershor është afati i fundit i aplikimit online, pa penalitet për tatimpaguesit, të cilët nuk kanë plotësuar ende kërkesën për përfitim të ndihmës financiare, për punonjësit e tyre.

Në rast se nuk aplikojnë është e parashikuar një masë administrative, sipas të cilës “Moskryerja e aplikimit nga ana e subjektit të të punësuarit apo ish-të punësuarit që plotëson kushtet për të përfituar ndihmën financiare, gjatë periudhës së fatkeqësisë natyrore të shpallur si pasojë e COVID-19, dënohet me gjobë në masën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë.

Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj, sqaron se gjoba parashikohet të vihet për çdo punonjës për të cilin nuk është aplikuar.

Vendosja e kësaj mase administrative ka shkaktuar shqetësime tek subjektet të cilat ose nuk po arrijnë të aplikojnë dot, ose i kanë paguar punonjësit e tyre në këtë periudhë ndonëse mund t’i kenë hequr nga lista e sigurimeve, ose punonjësit janë larguar me dëshirën e tyre për arsye që nuk lidhen me situatën e krijuar nga Covid-19.

Por Ibrahimaj sqaron se së pari, gjobat nuk do të jenë automatike, por do të verifikohen rast pas rasti.

“Pas përfundimit të afatit do të marrim në shqyrtim të gjithë listën e bizneseve dhe do të vendosim penalitetet aty ku gjykojmë që nuk ka pasur aplikime pa një arsye të fortë. Megjithatë dhe këto gjoba pas të gjithë procedurave të legjislacionit në fuqi tatimpaguesit do të kenë të drejtë të ankohen për një afat 30 ditor”.

Tatimet kanë njoftuar se të gjithë tatimpaguesit të cilët i kanë trajtuar me pagë të plotë të punësuarit apo ish-të punësuarit e tyre, nuk do jenë subjekt i këtij penaliteti.

Tatimpaguesi duhet që të plotësojë formularin e ankesës, brenda datë 05 Qershor 2020, dhe ta ngarkojë atë në menunë ‘’Çështjet e Mia’’, në llogarinë në e-filing.