Të dhënat e OPEN DATA për 2024 tregojnë se janë mbi 15 milion m2, të dhëna me qira nga njësitë e qeverisjes vendore për ndërtim të centraleve fotovoltaike , përmes 42 procedura prokurimi – dhënie me qira
Duke filluar nga data 1 gusht 2025 kullotat nuk janë vetëm për bagëtitë, por edhe për parqet fotovoltaike, për të cilat, vendimi i qeverisë, tashmë i botuar në Fletoren Zyrtare, përcakton sipas destinacionit tarifat që do të vilen nga shfrytëzimi i kullotave.
Përdorimi për prodhimin e energjisë së rinovueshme
Vendimi përcakton tarifat për parqet fotovoltaike dhe vendosjen e aerogjeneratorëve, të ndara sipas sipërfaqes dhe kohëzgjatjes së përdorimit.
Për parqet fotovoltaike, për sipërfaqe deri në 10 ha, tarifa është 192 mijë lekë/vit për përdorim deri në 10 vjet dhe 173 mijë lekë/vit për mbi 10 vjet; për sipërfaqe mbi 10 ha, tarifa është 156 mijë lekë/vit deri në 10 vjet dhe 132 mijë lekë/vit për periudha më të gjata.
Vendosja e aerogjeneratorëve, për sipërfaqe deri në 10 ha, tarifa është 120 mijë lekë/vit për periudha deri në 10 vjet dhe 100 mijë lekë/vit për periudha mbi 10 vjet; për sipërfaqe mbi 10 ha, tarifa është 90 mijë lekë/vit deri në 10 vjet dhe 70 mijë lekë/vit për periudha më të gjata.
Përdorimi për veprimtari shoqërore, shëndetësore, sportive e turistike
Sipas shtojcës nr. 2, për ndërtimet agroturistike tarifa vjetore për hektar është 100 mijë lekë për përdorim deri në një vit, 80 mijë lekë për periudhën 2–5 vjet dhe 65 mijë lekë për periudhën 6–10 vjet. Për veprimtari sportive, tarifa është 140 mijë lekë për vitin e parë, 100 mijë lekë për periudhën 2–5 vjet dhe 85 mijë lekë për periudhën 6–10 vjet. Ndërsa për veprimtari çlodhëse dhe kampingje, tarifa është 100 mijë lekë për vitin e parë, 85 mijë lekë për periudhën 2–5 vjet dhe 65 mijë lekë për periudhën 6–10 vjet.
Sa do t’u kushtojnë barinjve tarifat për kullotat dhe stanet?
Sipas vendimit, kullotja e bagëtive ose kositja e barit në kullotat dimërore dhe verore do të kushtojë 200 lekë për krerë në vit për dhentë, 250 lekë për dhitë, 1 mijë lekë për gjedhët dhe 1200 lekë për njëthundrakët.
Barinjtë gjithashtu do t’i paguajnë qeverisë tarifë për stanet si një verë ashtu edhe në dimër. Për qendrat e staneve të rrethuara tarifa është 100 lekë/m2 në vit ; për qendrat e përpunimit të bulmetit është 150 lekë/m2; ngrehinat e banimit për barinjtë do të kushtojnë 50 lekë/m2 në vit dhe objektet ndihmëse për barinjtë do të kushtojnë 150 lekë/m2 në vit.
“Kthetrat” e investitorëve strategjik morën 5.8 milionë metër katror tokë në të gjithë vendin, nga të cilat 23 në bregdet, përmes ligjit për Investimet Strategjike të miratuar në 2015. Sipas ekspertëve të ekonomisë, skema e investitorëve strategjikë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cënuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale. ‘Pjesët më të bukura të bregdetit gllabëruan” me ligjin, që përfundoi në një instrument për të dhënë tokat publike për militantët, të afërmve të ministrave, dhe biznesmenëve shqiptarë, që kanë ndërtuar vila dhe resorte.
Stimulimi i burimeve të rinovueshme të energjisë, po merr vit pas viti rëndësi të madhe. Në veçanti kur bëhet fjalë për energjinë diellore nëpërmjet centraleve fotovoltaike. Për më tepër që kishte një çmim favorizues të miratuar nga Enti Rregullator i Energjisë i fiksuar në 100 euro/MW.
Tani pas zaptimit të bregdetit, duket se e ka radhën skema me panelet fotovoltaike ku përfituesit “strategjik” do marrin në dorë pasuri shtetërore për të ndërtuar parqe që do prodhojnë energji, por asnjë nuk kujtohet për fabrika mishi dhe punishte për blegtorinë.




















