O tani, o kurrë më!

613
Maksim RAMOHITAJ
Kryetari i Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë, Dega Vlorë
27 vjet diskriminim i ushtarakëve në lirim e në rezervë
I kërkojmë qeverisë dhe kryeminisrit Edi Rama zbatim të plotë të statusit të ushtarakut.
Nga viti 1990, me ndryshimin e sistemit politik e vendosjen e pluralizmit e të demokracisë me ligjet e shtetit ligjor e të së drejtës ndërkombëtarë,e deri më sot në vitin 2017, ushtarakët e liruar e në rezervë, në pension të parakohëshëm e ne pension pleqerie janë trajtuar nga të gjitha qeveritë e deritanishme dhe nga institucionet e tjera shteterore në mënyrën më të keqe të mundëshme financiarisht dhe politikisht.

Ushtarakët në lirim e në rezervë i kanë shërbyer me devotshmeri, me përkushtim, me patriotizëm e sakrificë, e me besnikëri sipas betimit ushtarak e kushtetutes së Shqiperisë dhe Atdheut të vet, pavarësisht sistemit politik ekzistues.

Ashtu edhe sot ushtarakët e pas viteve 1990 e në vazhdim i kanë shërbyer e i shërbejnë me po atë përkushtim e besnikëri sipas betimit ushtarak dhe kushtetutes, Shqipërisë e Atdheut të vet pavaresisht sistemit politik që kemi aktualisht.

Ky ka qenë dhe mbetet në çdo kohë e në çdo sistem politik, në çdo qeveri të botës pra edhe të Shqipërisë motivi e misioni historik patriotik e Atdhetar i ushtarakëve të forcave të armatosura të Republikës së Shqiperisë. Por ky motiv e ky mision i ushtarakëve të liruar është shpërdoruar me motive politike.

Për fat të keq për rreth 27 vjet ushtarakët e liruar e në rezervë si dhe ushtarakët e para viteve 1990 nga ana e forcave politike dhe të qeverive dhe në mënyrë të veçantë nga forcat e djathta politike e ekstremiste me mazhorancat e tyre i kanë parë e trajtuar me syrin e njerkës e të përfitimit politik e duke i etiketuar si monista e fajtore pavaresisht se ata kanë kryer vetëm detyrat ndaj Atdheut, dhe për hir të detyrës u janë mohuar disa të drejta njerëzore.

Vetë Sali Berisha hapur e publikisht është shprehur në parlamentin Shqipëtar dhe në mediat publikë, nga shtatori i vitit 2005 kur u bë Kryeministër, se nuk do t’ju jap asnjë të drejtë dhe asnjë vleresim financiar ushtarakëve të liruar sipas statusit pasi ata nuk votojnë për partinë demokratike. Sa fatkeqësi! Një kryeministër i një vendi demokratik të shprehet me kaq urrejte për ushtarakët e vendit të vet që kanë zbatuar vetëm detyrat ndaj vendit të vet e aq më tepër një person i tillë që e konsideron veten si njeriu që solli demokracinë dhe ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri.

Në maj të vitit 2005, qeveria dhe parlamenti shqiptar me mazhorancë të majtë programoi dhe miratoi statusin e Ushtarakut dhe u votua me mbi 130 vota parlamentare të majta e të djathta por që nuk u vu në zbatim asnjë herë dhe ende as sot.

Është absurde, dashakeqë, e qellimshme, provokative e me prapaskena politike që ky status, me ardhjen në pushtet të forcave të djathta e me kryeministër Sali Berisha, që edhe pse që votuar edhe nga vetë ata në maj të 2005, jo vetëm që nuk u vu ne zbatim, por përkundrazi, filluan një e nga një e vit pas viti për ta ndryshuar e copëtuar këtë status, duke vazhduar e thelluar përbuzjen, diskriminimin, e nëpërkëmbjen ndaj kësaj pjese të shoqërisë, të ushtarakëve të liruar, të cilët kanë treguar në çdo periudhë vlerat e tyre më të larta dhe u janë mohuar plotesisht të drejtat e tyre deri me sot.

Por absurditeti, agresiviteti e ndëshkimi i ushtarakëve të liruar i rreth 20000 mijë veta nuk paska të sosur…Na vjen viti 2009 e 2010, vitet më famëkeqe e me masakrues për ushtarakët në lirim e në rezervë, ku me V.K.M.e qeverisë Berisha me ligjin 10142 si dhe me miratimet në parlamentin e Shqipërisë i përbërë nga 66 vota të djathta dhe 5 vota të majta të Ilir Metës (bashkëqeverisës), pra me votat minimale te një mazhorance me paterica, me 71 vota ,të parlamentit të ndryshojnë e të përmbysin totalisht statusin e ushtarakëve te majit të 2005, nuk ka ndodhur në asnjë vënd të botës. Nga ajo kohë e deri tani janë bërë shumë përpjekje e veprimtari nga ana e shoqatave të ushtarakëve të liruar në rrethe e deri në rang kombëtar në bazë të të gjitha rregullave demokratike e ligjore, por asgjë. Heshtje varri dhe ndëshkim në vazhdimesi të ushtarakëve në rezervë! Ky është shteti demokratik e ligjor në Shqipëri, për ushtarakët e liruar, që përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shoqërisë shqiptare, të inteligjencës shqiptare, me nivele të larta arsimore, me virtyte e kontribute të shumta për vëndin e aq më tepër kur ushtria shqiptare bëhet pjesë dhe anëtare me të drejta të plota të NATO-s. Edhe pse ndodh ky moment historik, ushtarakëve të liruar vazhdon t’u bëhet ky diskriminim nga shteti i vet, nga shteti të cilit ata i kanë shërbyer me përkushtim duke zbatuar kushtetutën e Shqipërisë. Çfarë shteti!!

Po drejtesia shqiptare, gjykatat e shkallëve të ndryshme e gjykata kushtetuese përse kanë heshtur deri tani?! Pse kanë mbajtur e mbajnë qëndrim negativ ndaj kërkesave, ankesave, argumentEve dhe peticioneve të ndryshme të bëra nga shoqata e ushtarakëve në rrethe e shoqata kombëtare të Shqiperisë?
Shoqata kombëtare e ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë dhe aleanca e kombëtare e ushtarakëve në rezervë të Shqiperisë bashkarisht me kërkesat dhe ankesat e tyre, me specialist ekonomistë dhe ekspertë ligjorë i kanë dërguar shpeshherë ministrisë së mbrojtjes, qeverive shqiptare me argumenta e prova faktike, por edhe parlamentit, Presidentit e organeve të drejtësisë te gjitha shkeljet e statusit të ushtarakut. Kanë prezantuar pranë tyre të gjitha shkeljet e veprimet e institucioneve shtetërore e atyre të sigurimeve shoqërore që nëpërkëmbin dhe masakrojnë barbarisht të drejtat ekonomike, morale e politike të ushtarakëve të liruar, duke judhënë një pension sa qesharak aq dhe fyes dhe përbuzes.

Ne nuk kemi lypur dhe nuk lypim kurrë, pasi kemi derdhur djersën tonë dhe jemi të ndershëm. Ne kërkojmë të drejtat dhe kontributin tonë. Sigurimet shoqërore janë kthyer në institucion privat ku dy-tre persona në drejtoritë rajonale bëjnë vleresimet ekonomike të pensionisteve sipas preferencave të tyre, duke përfituar edhe nga ndryshimet e shumta të bërë vit pas viti me V.K.M për trajtimin financiar të ushtrakëve në rezervë.

Kanë kaluar plot 27 vjet deri me sot dhe ushtarakët e liruar në pension të parakohshëm dhe në pension pleqërie në shkallë vendi kanë kërkuar me koshiencë e ndershmëri, por edhe me shpresë të drejtat e tyre brenda rregullave ligjore, demokratike pa kaluar në veprime ekstreme. Deri tani forcat politike e qeverisëse ia kanë hedhur topin njëra-tjetrës dhe kanë luajtur rolin e kungulleshkës. Forcat e djathta dihet dhe kanë e shprehur hapur se nuk i kanë kontingjente të veta politike, por edhe forcat e majta kanë pasur aleatë në qeveri e parlament dhe nuk janë përputhur në vendimarrje të përbashkët të këtij problemi.

Qeveria Berisha në aleance me Ilir Metën në 2009 dhe 2010, jo vetëm që e shkallmuan statusin e ushtarakut, qe kanë masakruar ushtarakët në lirim e në rezervë me pensionet e tyre, por ata i nxorrën dhe debitorë ndaj shtetit kur ata kanë marrë çfarë u ka dhënë shteti. Kurse shteti i bën edhe hajdutë duke shprehur hapur urrejtjen që kanë për ushtarakët në lirim e në rezerve. Tani jemi në një situatë të re politike dhe shpresëdhënëse. U arrit një fitore spektakolare e së majtës shqiptare dhe e vetme e partisë socialiste, kur dihet publikisht kontributi dhe ndikimi pozitiv në zgjedhjet e 25 qershorit, jo vetëm i ushtarakëve të liruar, por edhe i veteranëve dhe i pensionistëve në ketë fitore.

Sot qeveria socialiste dhe mazhoranca e saj i ka të gjitha të drejtat dhe kompetencat e plota në qeveri e në parlament që të vendosi e vetme në zbatim premtimet dhe zotimet e bëra ndaj ushtarakëve të liruar si në vitin 2013 ashtu edhe tani në 2017 për zbatimin në jetë të statusit të ushtarakut të majit 2005.

Shoqata kombëtare e ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë, dega Vlorë dhe këshilli drejtues i saj i mbledhur me gjithë anëtarësinë e saj, ku në Vlorë ka mbi 1600 ushtarakë në pension janë bërë takime të ndryshme me grupe, por u organizua dhe një takim shembullor me rastin e përkujtimit të festës se 10 korrikut të vitit 1943, 74-vjetorit të krijimit të shtabit të përgjithshëm dhe të Ushtrisë Nacional Çlirimtare që çoi në çlirimin e plotë të Shqipërisë në 29 nëntor 1944. Në këtë takim ushtarakët shprehen njëzëri urimin e përbashkët për fitoren madhështore të 25 qershorit të partisë socialiste, por njëkohësisht ata u shprehen me shumë së kurrë : “ O TANI O KURRË MË!”. I kërkojmë qeverisë dhe parlamentit shqiptar që të vihet në zbatim një për një statusi i ushtarakut i majit të 2005 duke hequr përfundimisht përbuzjen dhe të vihet në vënd dinjiteti dhe personaliteti që u takon ushtarakëve të liruar në republiken e Shqipërisë.

Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë dega Vlorë kërkon të sensibilizojë të gjitha shoqatat ushtarake në rrethe por edhe ato në shkallë kombëtare që më shumë se kurrë tani dhe vetëm tani është koha, mundësia dhe situata që ne të kërkojmë atë çka na ka takuar dhe na takon nga shteti dhe parlamenti shqiptar.

Ne kemi shpresuar dhe shpresojmë fort se Ministria e Mbrojtjes ne bashkëpunim me Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë dhe aleancën kombëtare të ushtarakëve në rezervë të Shqipërisë do të çojnë shumë shpejt në qeveri e në parlament kërkesat dhe të drejtat e tejzgjatura për miratimin dhe zbatimin e plotë të statusit të ushtrakëve pasi një pjesë e konsiderueshme e tyre janë ndarë nga kjo botë. Presim që ta gëzojnë të gjallët këtë status të tejzgjatur.