“Nuk kemi nevojë për eksperimente”, Presidenti Meta me apel të fortë. Ja ç’thotë për masat e qeverisë

329
Sigal

Presidenti i vendit, Ilir Meta u ka bërë sot apel gjithë shqiptarëve të respektojnë rregullat dhe kufizimet e vendosura, pasi ato sipas tij, nuk janë privim, por mbrojtje e domosdoshme në këto moment kritike.

Deklaratën, kreu i Shtetit e ka bërë pas dhurimit të gjakut në ambientet e Kishës Katolike, ku ka dhënë përgjigje nëse do ta mbledhë Këshillin e Sigurisë dhe ka komentuar se si i vlerëson ai masat e marra nga qeveria në këto kohë të jashtëzakonshme që po kalojmë.

A keni apel për qytetarët?

Të respektojnë kufizimet se janë për të mbrojtur çdo qytetar dhe çdo sjellje e pakujdesshme mund të rezultojë fatale, po e shohim se ca ndodh në Italinë që është me sistem shëndetësor shumë herë më të konsoliduar dhe nuk kemi nevojë për të bërë eksperimente. Ndaj respektoni gjithë udhëzimet e autoriteteve të Shëndetit Publik, por edhe kufizimet që janë vënë se janë në interes të të gjithëve dhe çdo qytetari, jo privim, por mbrojtje e domosdoshme në këto momente kritike.

Do e mblidhni Këshillin e Sigurisë?

Do të ndodhë në kohën e duhur por duhet të kuptojmë që edhe policia dhe ushtria është në funksion të garantimit të rregullit dhe disiplinës që i mbron qytetarët nga pakujdesia dhe është një mundësi për të dhënë ndihmën në çdo rast të domosdoshëm. Kjo nuk përballohet vetëm me mjekë e infermierë por angazhim të gjithë strukturave.

Çfarë mendoni për masat e marra nga Qeveria?

Kjo është një krizë e re dhe jo vetëm për ne, por edhe vende të tjera. Ju keni parë që kanë ndryshuar udhëzimet e OBSH, qasja e vende të ndryshme.

Çdo ditë do të përmirësohet mekanizimi reagues e parandalues, izolues dhe për këtë duhet bashkëpunim i të gjithëve dhe solidaritet I të gjithëve.