“Nuk ka vend për profesionistët por ka vend për patronazhistët”, aktorët e humorit në protestë, ‘babë e bir’: Jemi sot këtu për ata që punojnë me dinjitet e jetojnë në mizerje

112
Sigal

Aktorët e njohur të humorit i janë bashkuar sot protestës para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve. Aktori Florian Binaj u shpreh se flamuri kuq e zi ka vite që vidhet.

“A e shikoni flamurin e kuq, është flamuri më i bukur në botë, i kombit më të bukur në botë, por që ka vite që vidhet. Jemi sot këtu për njëri tjetrin, për ata që nuk marrin ata që meritojnë, për ata që kanë lënë vendin, se nuk ka vend për profesionistët por ka vend për patronazhistët. Ndaj jemi ne sot këtu.

Është hera e parë që nuk kuptohet ku fillon Skenderbej e mbaron Nënë Tereza. Jemi sot këtu për ata që punojnë me dinjitet e jetojnë në mizerje. Jemi për fëmijët tanë. Faleminderit cdo qytetari, të dëgjojmë zërin e njëri tjetrit. Jam kritikuar se kam qenë ndër të vetmit artist në protestë, do të doja shumë si Marin Mema dje të na bashkohen edhe artistë e figura publike.” u shpreh aktori i humorit Florian Binaj.

Mikrofonin më pas e mori kolegu i tij, Irgen Cela i cili ftoi të gjithë artistët të bëhen pjesë e protestës.

“A më shifni të gjithë të paktën, jam pjesë e kësaj proteste se është protestë e popullit dhe jo e partive. Edhe unë i ftoj personazhet publikë, jemi qytetarë. Jam pjesë e kësaj proteste për ata pensionistë që kanë frikë të ndezin frigoriferin, që kanë frikë të futen në supermarket. Për të gjithë prindërit tanë.” – u shpreh ai.