Analizë nga Marash Gilaj / Të mbrosh pushtetin e autoritarëve është faji më i madh që i bëhet kombit dhe shoqërisë. Koha ka treguar se indiferentizmi ka vrarë shumë kombe. Amoraliteti, padija, varfëria dhe spiunllëku ia zgjasin jetën një qeverie të pamoralshme. Autoritari kërkon kontroll absolut dhe do që vendimet të merren vetëm prej tij. Ai nuk duron debatet, kritikat as mendimet e ndryshme. Nuk e do lirinë e të tjerëve, sepse i duket si rrezik ndaj pushtetit të vet. Autoritari dhe sociopati refuzojnë të korrigjohen dhe kështu gabimi bëhet faj dhe faji bëhet krim. Autoritarizmi e vret dhe e humb zërin e arsyes. Kur e merr kalanë, nuk di ta lëshojë më.
Indiferëntizmi ka vrarë shumë kombe.Amoraliteti, padija, varfëria dhe spiunllëku ia zgjasin jetën një qeverie të pamoralshme e të paligjshme që sundohet prej autoritarëve dhe sociopatëve. Këtu gjen shteg të futet edhe mafia. Dhe kur krimin e lejon shteti, ai financon shtetin. Sepse mafia dhe shteti bëjnë luftë ose merren vesh me njëra – tjetrën. Dhe një pushtet absolut korrupton në mënyrë absolute dhe shtrëmbëron të vërtetën.
Autoritarët dhe sociopatët kanë shumë karakteristika të përbashkëta, të ngjashme ose të barabarta, sidomos, kur doza e shfaqjeve në sjellje është e lartë.

Autoritari kërkon kontroll absolut dhe do që vendimet të merren vetëm prej tij. Ai nuk duron debatet, kritikat as mendimet e ndryshme. Nuk e do lirinë e të tjerëve, sepse i duket si rrezik ndaj pushtetit të vet. Ai nuk i do rivalët as të diturit. Beson se ka gjithmonë të drejtë. Ndaj të tjerëve shfaqet imponues në ekstrem. Pra, ai shfaqet i dyzuar si sundimtar ndaj atyre që i ka poshtë vetes dhe servil e lajkatar tek ata që janë më lart. Çdo autoritar, në sensin negativ, është krenar, injorant, arrogant dhe noton në kotësi, sepse këto janë në harmoni me njëra – tjetrën. Përveç këtyre të metave, atë e karakterizon çthurja dhe agresiviteti. Prandaj, gjithmonë duhet të kemi parasysh rrezikshmërinë që paraqet autoritari për një komb, kur shumica vlerëson dinakrinë dhe hilet djallëzore të tij, por që këto shfaqje nuk janë merita as vlera që duhen pranuar. Këtu vlen të theksohet fort se latinët, me urtësinë e tyre na ndihmojnë të kuptojmë pse ndodh kështu duke na thënë: “I padituri lavdëron të paditurin.” Bile, ai e admiron, do të shtoja unë. Dhe se lajkat u pëlqejnë budallenjëve për cilësitë që nuk i kanë. Ti që po i jep meritat dhe vlerat që nuk i takojnë, ai, si djall që është, do të dhurojë ferrin. Në anën tjetër, pas çdo karriere të pamerituar fshihet një maskarallëk. Në raste të tilla vlerësimet për njeriun e keq i bën llumi i kombit, por kurrë njeriu i ndershëm, i drejti, i dituri as i urti. E keni vënë re se ata që shkojnë pas brumbullit, përfundojnë në pleh. Kjo po ndodh shpesh edhe në vendin tonë. Pastaj, e meta në sjellje bëhet e metë në karakter. Këtë karakteristikë që sapo përmendëm, e ka edhe sociopati, i cili vuan nga çrregullime personaliteti, është një antisocial ekstrem me mungesë ndergjegjeje dhe ua bën jetën të vështirë të tjerëve që i ka nën pushtetin e tij, duke i ndarë ata në vegla dhe armiq, siç na mëson Niçe. Një autoritar, kurrë, nuk i trajton njerëzit sipas vlerave që kanë: ndershmërinë, drejtësinë, sinqeritetin, përkushtimin dhe urtësinë e tyre. Ai kërkon t’i binden qorrazi dhe nuk e do bashkëpunimin e tyre. Kemi mësuar nga urtësia se ai që bën vepra të këqija nuk i do njerëzit. Këto janë shfaqje diktatoriale. Ai premton shumë në fushata elektorale, por premtimet pa doganë gëzojnë vetëm të marrin, sepse mbeten të parealizuara. Autoritari dhe sociopati refuzojnë të korrigjohen dhe kështu gabimi bëhet faj dhe faji bëhet krim. Për ta bërë të mundur këtë synim, ai të frikëson, të manipulon dhe të bën presion, duke nxitur nënshtrimin përmes kërcënimit, fajësimit dhe poshtrimit. Një sociopat është manipulues dhe gënjeshtar, siç është edhe narcist i thekur. Gënjeshtari është edhe hajdut, na mëson urtësia franceze. Në vijimësi, gënjeshtrat mbrohen me gënjeshtra. Dhe si rregull, ata gjithmonë fajsojnë të tjerët për dështimet e tyre, duke e menduar veten të pagabueshëm dhe të gjithëditur. Kanë mungesë të theksuar ndjeshmërie, empatie, faji, turpi dhe keqardhje. Autoritari, në sensin më të keq, shtrëmbëron realitetin dhe justifikon çdo gabim e faj që bën vetë. Bile, kurrë nuk pranon se ka bërë ndonjë gabim, pasi, sipas tij, gabime bëjnë vetëm të tjerët. Ai nuk njeh kufij etike. Sociopati sillet në mënyrë të papërgjegjshme ose impulsive deri në ekstrem. Synimi i tyre është të marrin atë që duan, pavarësisht, nëse u takon ose jo apo e meritojnë me të vërtetë. Ata duan të pasurohen shpejt në kurriz të popullit. Parajsa e tyre krijohet nga ferri i fukarenjve. Dhe se pas çdo pasurie të madhe, të vënë në rrugë të paligjshme fshihet një krim i madh. Por vlera e njeriut nuk matet me ato që merr, sidomos, padrejtësisht. Ajo duhet matur me ato që i jep kombit të vet. Si ekspertë të mashtrimit, kanë gjithmonë edhe një agjendë të fshehtë, duke qënë mjeshtër të maskimit. Hipokrizia i karakterizon. Janë shumë mospërfillës ndaj normave të shoqërisë, i thyejnë ato bashkë me ligjet, të cilat mendojnë se nuk janë bërë për ta. Dhe mjeti më i mirë kundër ligjit është paturpësia. Për të mbetur në histori duan që të shembin gjithë sistemin që kanë ngritur të tjerët para tyre dhe pastaj të mburrën për këto vepra, por nuk ia kanë idenë se ky veprim i pamenduar mirë mund t’i zërë brënda. Kjo lidhet me reformat. Protoganizmi e shoqëron kudo e kurdo, sepse ai pretendon se çdo arritje është meritë e tij dhe çdo dështim u takon të tjerëve. Kështu mendon soji i tyre. Çdo lloj rregulli që ndërton një sociopat vlen për të sunduar dhe asnjëherë për t’i shërbyer popullit. Populli duhet të jetë shumë vigjilent dhe të shikojë me dyshim çdo gjë që bën e nuk bën qeveria e tij, duke kërkuar motivet e fshehta për të mësuar se kush përfiton në këtë rast. Vetëbesimi i një pushtetari të tillë është jashtë çdo imagjinate.

Autoritari kërkon kontroll absolut dhe do që vendimet të merren vetëm prej tij. Ai nuk duron debatet, kritikat as mendimet e ndryshme. Nuk e do lirinë e të tjerëve, sepse i duket si rrezik ndaj pushtetit të vet. Autoritari dhe sociopati refuzojnë të korrigjohen dhe kështu gabimi bëhet faj dhe faji bëhet krim.
Autoritari i sheh konfliktet si mjete force dhe jo si mundësi zgjidhjeje. Ai nuk e respekton autonominë e të tjerëve, duke shkelur me të dy këmbët mbi të drejtat e individit. Çdo kritikë që mund t’i bëhet, e quan si sulm personal. Ndërsa, kur dikush e lavdëron, e sheh si meritë të veçantë, pavarësisht nga sjellja skandaloze që ushtron ndaj vartësve. Kurrë nuk i intereson se si ndihen të tjerët; atij i duhet kontrolli mbi ta dhe merr vendime në dëm të shumicës pa hezituar fare.
E megjithatë, ndonjë prej tyre arrin të bëhet lider, edhe pse është i paaftë për të qeverisur.
Siç duket kjo ndodh nga përceptimi i jashtëm që kanë njerëzit për personin, nga karizma e tyre, nga fjalët e bukura dhe gurët në trastë apo hipokrizia që nuk kuptohet që në fillim. Duhet të kalojë pak kohë që të kuptohet se si ky biçim lideri antisocial lë në hije njeriun e aftë, me integritet, të përulurin dhe me ndjeshmëri ndaj të tjerëve. Duke u shfaqur me ndjenja të fuqishme vetëlavdëruese e pa pikë sinqeriteti, nga paaftësia e tij e theksuar, ai nuk pranon asnjë përgjegjësi as dhënie llogarie për gabimet dhe fajet e veta të përditshme. Ai, gjithmonë, ka tendenca të përfitojë prej të tjerëve. Ata janë brutalë dhe pa kurrfarë ndjenje fajsie. Vuajnë tmerrësisht nga vesi i gënjeshtrave, pa ndjenja pendimi as faji. Vërtetë ai bën të gjithëditurin, të madhërishmin, të admiruarin, sepse vuan nga deliret dhe narcizmi. Por më vonë, pasi të provohet, do të bindemi se ai është vërtetë i rrezikshëm për të bërë rolin e politikanit dhe aq më keq liderin me pushtet të pakufizuar. Nga kozmopolit, ai shpejt kthehet në nacionalist me synime përfitimi. Atë, kurrë, nuk e vret ndërgjegjja. Mbështetjen e kërkon edhe tek religjioni, duke ledhatuar ndjenjat fetare dhe ato kombëtare me mjeshtëri, pa qënë fetar as atdhetar. Sepse e karakterizon hipokrizia ekstreme. Autoritarizmi e vret dhe e humb zërin e arsyes. Kur e merr kalanë, nuk di ta lëshojë më. Prandaj, nuk duhet ta ulim kurrizin, t’i bëhemi urë apo shkallë për ngjitjen e tij. Pra, duhet shikuar integriteti i atij që duhet zgjedhur për të na udhëhequr e shërbyer si: përulësia, ndjeshmëria e sinqeriteti, duke parë se sa e do të vërtetën. Në zbrazdësi dhe pa mbështetje askush nuk mund të ngjitet, askush nuk mund të na sundojë. Për këtë arsye duhet t’i lëmë sheshet bosh, sepse askujt nuk i duhet një rrufjan lideri i tillë. Ai i takon kohës së shkuar, kohës së diktaturave gjakatare.
Por më vonë, pasi të provohet, do të bindemi se ai është vërtetë i rrezikshëm për të bërë rolin e politikanit dhe aq më keq liderin me pushtet të pakufizuar. Nga kozmopolit, ai shpejt kthehet në nacionalist me synime përfitimi. Atë, kurrë, nuk e vret ndërgjegjja. Mbështetjen e kërkon edhe tek religjioni, duke ledhatuar ndjenjat fetare dhe ato kombëtare me mjeshtëri, pa qënë fetar as atdhetar. Sepse e karakterizon hipokrizia ekstreme. Autoritarizmi e vret dhe e humb zërin e arsyes. Kur e merr kalanë, nuk di ta lëshojë më.
Të mbrosh pushtetin e autoritarëve dhe sociopatëve, është faji më i madh që mund t’i bëhet shoqërisë. Mendoni për një çast se ky lloj ndihet i pagabueshëm, gjitholog i mbaruar dhe me ide gjeniale, duke menduar se është i pazëvendsueshëm dhe i përjetshëm. Përveç atyre që permendëm më lart, ai ka si metodë kryesore për të sunduar shprehjen latine: “Dividi et impera”. (Përçaj e sundo.) Mos harroni se fjalimet e këti soji mund të jenë frymëzuese, por janë plot hipokrizi dhe shoqërohen me akte të turpshme. Ai nuk e ndëshkon të keqen, sepse do që ajo të bëhet. Amoraliteti, padija, varfëria dhe spiunllëku ia zgjasin jetën një qeverie të pamoralshme e të paligjshme që sundohet prej autoritarëve dhe sociopatëve. Këtu gjen shteg të futet edhe mafia. Dhe kur krimin e lejon shteti, ai financon shtetin. Sepse mafia dhe shteti bëjnë luftë ose merren vesh me njëra – tjetrën. Dhe një pushtet absolut korrupton në mënyrë absolute dhe shtrëmbëron të vërtetën. Për të arritur qëllimet e tij të mbrapshta i duhen shokët e ngjashëm me veten e tij, të cilët i përdorë si vegla. I shtryll dhe i hedh. Dhe siç thotë një fjalë e urtë: “Nëse jemi të ngjashëm, do të takohemi.” Siç duken gjasat, vërtetë, jetojmë në një vend që pëlqehen kaq shumë gënjeshtrat dhe për rrjedhojë, ky do të mbetet profesioni më i kërkuar tek biznesi i politikës dhe i pushtetit. E nëse tregohemi indiferent ndaj këtyre dukurive, duhet të mendohemi pak më thellë, sepse indiferëntizmi ka vrarë shumë kombe.






















