Një tjetër “kafe” për Kastratin, ministria i fal super tenderin 4.5 MLD lekë për furnizmin e makinave me naftë

134
Sigal

Ministrat e Ramës po kujdesen që për kandidatët e PS në zgjedhjet e majit të kenë sa më shumë karburant për fushatën. Madje po prokurojnë karburant edhe për zgjedhjet e vitit 2025! Këtë strategji e ka zbatuar edhe ministri i Brendshëm. Ai ka firmosur kontratën me vlerë 4.5 miliardë lekë, pa garë fare për oligarkun Shefqet Kastrati. Prokurimi është hapur nga Agjencia Shtetërore e Prokurimeve të Përqëndruara, në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Bëhet fjalë për super tenderin, i cili është i ndarë në 7 lote. Loti i parë është regjistruar në buletinin e 27 marsit 2023 dhe sikur shihet i janë vënë në dispozicion 1.3 miliardë lekë. Për këtë tender ka paraqitur ofertë vetëm bashkimi i operatorëve KASTRATI” SHPK dhe “KASTRATI GROUP” SHA, të dyja firmat të oligarkut të naftës. Prokurimet vetëm me një ofertë duhet të pezullohen, sepse sipas ligjit cënon konkurrencën dhe përbëjnë hapësira për abuzime. Por, Çuçi nuk e ka marrë parasysh këtë pikë të ligjit dhe ka nënshkruar kontratën për 2 vjet. Pra deri në 2025, “makina”  do të mbushet “full” nga Kastrati.

Ndërkohë, po në këtë buletin është regjistruar edhe kontrata për lotin 2 e projektit gjigand për naftë. Për këtë prokurim ministri ka vënë në dispozicion 576 milionë lekë dhe afati është për 3 vjet. Kështu, ai ka siguruar naftë edhe për vitin 2025. Në këtë pikë lind pyetja vallë nuk i dalin Çuçit 1.3 miliardë lekë naftë që ka shtuar dhe këtë tenderin tjetër? Ku e di Ministria e Brendshme si do të jenë çmimet e naftës pas tre vjetësh?

Këto janë manovra të dyshimta dhe që lënë hapësira për abuzim, duke shtuar këtu faktin se çmimi i natës në vendin tonë është akoma në nivele të larta dhe nuk është logjike të bëhen blerje për një afat të gjatë. Sidomos kur bëhet fjala për produkte, çmimi i të cilave mund të ndryshojë sërish deri në vitin 2025. Gjithsesi manovra më e madhe është kjo që bën Kastrati. Pasi edhe në këtë tender ai ka garuar me 2 firmat e tij, si një bashkim operatorësh. Sërish kemi një ofertë dhe kontratë të firmosur në mungesë të konkurrencës, që skuq me shkelje.

Po në të njëjtat linja vazhdon edhe kontrata e tretë. Sërish Ministria e Brendshme i ka paguar për të blerë naftë. Këtë herë ka lënë në dispozicion 800 milionë lekë. Parashikohet të blihet naftë për vitin 2023! Edhe në këtë prokurim fitues është shpallur menjëherë Kastrati, serish pa garë dhe pa proceduar sipas ligjit. Ajo që bie në sy është se, të tria kontratat janë nënshkruar në 10 mars 2023, por publikohen më 27 mars 2023.

Pra, dy javë me vonesë! Kështu që nuk është çudi, madje faktet tregojnë që edhe katër lotet e tjera i janë dhënë Kastratit. Por, po i mban të fshehta kontratat për t’i mbajtur larg vëmendjes, dhe i publikon disa javë më vonë. Po, nga të dhënat e mbledhura shihet qartë që 4.5 miliardë lekë janë destinuar për Kastratin për furnizim me karburant për tre vitet e ardhshme raporton gijotina. Fakte që tregojnë edhe njëherë se Kastrati po e shfrytëzon monopolin në tregun e naftës për të thithur buxhetin e shtetit, ndërkohë që komandon çmimet në kurriz të qytetarëve.