Nisja e mësimit plotësues, ministrja Kushi vizita inspektimi në shkolla të ndryshme të Tiranës

221
Sigal

Një ditë para nisjes së mësimit plotësues, ministrja e Arsimit Evis Kushi ka kryer vizita inspektimi në shkolla të ndryshme të Tiranës për të parë nga afër masat e ndërmarra në prag të nisjes së mësimit plotësues më datë 1 Shtator.

Gjatë vizitave në shkolla, Kushi ka përsëritur apelin ndaj të gjithë arsimtarëve të pavaksinuar deri më tani, për t’iu bashkuar fushatës së vaksinimit, në mënyrë që të shkollat të kalojnë një vit sa më të mbarë dhe të sigurt shkollor.

Ministrja është shprehur e kënaqur që pjesa më e madhe e mësuesve në të gjithë Shqipërinë tashmë janë vaksinuar me të dyja dozat, gjë që siguron qetësi dhe siguri në rifillimin e mësimit në kushte normale.

Deri tani janë inspektuar disa nga shkollat më të mëdha, ndërkohë që edhe në vijim këto inspektime do të vazhdojnë për të parë nga afër ambientet shkollore, kushtet higjieno-sanitare, si dhe masat e nevojshme për mbrojtjen nga virusi Covid-19.