Nishani pas dhurimit të Mesharit për Biblotekën: Rinia ti kthehet librave

520
Presidenti Nishani i dorëzoi sot Bibliotekës Kombëtare, librin e parë shqip, “Mesharin” e Gjon Buzukut që solli një vit më parë Papa Francesku në Shqipëri. Dhurimi është bërë në kuadër të 95­vjetorit të themelimit të Bibliotekës Kombëtare
Kreu i Shtetit pasi ka falënderuar drejtuesit dhe kontribuuesit e Bibliotekës Kombëtare ka përmendur 3 mesazhe që ky libër përçon. Nishani tha se kjo është një dhuratë e Papa Franceskut dhe jo e Presidentit dhe sipas Kreut të Shtetit “Meshari” është një simbolikë e harmonisë fetare në Shqipëri. Kjo, pasi libri u shkrua nga një katolik dhe u përkthye nga një mysliman.
“Bashkoj urimin me të gjithë ata që e kanë vlerësuar 95­vjetorin e Bibliotekës Kombëtare. Shpreh mirënjohje personale dhe institucionale për të gjithë drejtuesit, menaxhuesit, pastruesit dhe punonjësit e kësaj biblioteke. Kopja e Mesharit u ekspozua në presidencë dhe u vizitua nga mijëra qytetarë. Bashkë me drejtoreshën, menduam se vendi i duhur është Biblioteka Kombëtare. Ndaj sot ne mbajmë një premtim duke e prezantuar në këtë vend mëse të përshtatshëm dhe mëse të merituar. Do të dëshiroja të nënvizoja 2­3 mesazhe që gjykoj që ky Meshar sjell për ne shqiptarët. Së pari, kjo është një dhuratë e Papa Franceskut për Shqipërinë dhe shqiptarët, jo e Presidentit. Sjella e Papa Franceskut tregon rrugëtimin e gjatë që ky libër i parë në gjuhën shqipe i shkruar nga një murg katolik i Gegërisë, më pas përmes një pune të gjuhëtarit Çabej e ka kthyer në një vepër të mirëfilltë që do t’i shërbejë edhe punës shkencore. Një mesazh tjetër, ai i harmonisë dhe bashkëjetesës fetare. Jo më kot ky libër me këtë emër kaq simbolik, udhëtimi i tij simbolizon këto parime, këto vlera të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare që ashtu si ky Meshar, i rezistuan kohërave shumë të vështira”, u shpreh ai. Kreu i Shtetit kërkoi që të bashkëpunohet për ta kthyer brezin e ri tek librat. “Me këtë libër ne gjejmë një kënaqësi shpirtërore dhe një krenari kombëtare. Besoj që ne duhet të mendojmë së bashku përmes infrastrukturës dhe profesorët përmes mendjes së tyre për ta kthyer brezin e ri tek librat”, tha Presidenti Nishani. 
Ndër bibliotekat më të spikatura të kësaj ekspozite përmendim: Biblioteka e Lumo Skendos, Biblioteka e Ëeigand-it, Biblioteka e Françeskanëve dhe Jezuitiëve, Biblioteka e Bushatllinjve, Biblioteka Carnavon, Biblioteka e Mitrush Kutelit, Biblioteka e Karl Gurakuqit, Biblioteka e Mustafa Krujës, e Ilo Mitkë Qafëzezit, Biblioteka e Nexhip Alpan, Biblioteka e Aleks Budës dhe ajo nga Kosova e Ali Rexhës.
“Në kontekstin e kësaj trashëgimie të çmuar dhe në respekt të Institucionit që përkujdeset për të, Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani do t’i besojë BKSH-së përkujdesjen edhe të kopjes anastatike të “Mesharit” të Gjon Buzukut, dhuratë e Papa Françeskut I-rë gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri”, vjen njoftimi nga Biblioteka Kombëtare, duke cituar më tej se “Historia e librit, e ngjashme me historitë njerëzore përbën një rrugëtim të veçantë në çdo kulturë. Aq më e rëndësishme bëhet kjo histori kur ka në fokus rrugëtimin e “Mesharit”, themelit të kulturës sonë të shkruar, drejt lexuesit shqiptar. Kopja e tij e parë teknologjike nis me financimin e Ministrisë së Arsimit në vitin 1929, duke i krijuar kushtet françeskanit At. Justin Rrota, filolog e studiues, të fotografonte e të sillte në Shqipëri 3 kopje të veprës origjinale, e gjendur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit, zbuluar nga Gjon Nikollë Kazazi.
Një prej kopjeve u bë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Mbas botimit kritik, punuar e transliteruar mjeshtërisht nga gjuhëtari i shquar Prof. Eqrem Çabej më 1968”. Sipas zëdhënsve të këtij institucioni kopje e re e “Mesharit” vjen përmes “kopjimit më të mirë të mundshëm digjital dhe me një lidhje të hijshme, duke e shndërruar “Mesharin e Papa Fraçeskut” në një libër të mirëfilltë bibliofilik.”
Sigal