Nis rehabilitimi i asfaltit në aksin Tiranë-Durrës

30
Sigal

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi se do të nisë rehabilitimi i shtresave asfaltike në aksin rrugor Tiranë-Durrës.

“Në kuadër të zbatimit të kontratës së mirëmbajtjes, ditën e sotme do të fillojë rehabilitimi i shtresave asfaltike të aksit rrugor Tiranë–Durrës. Procesi i punës do të fillojë nga Sukthi në drejtim të Tiranës. Do të punohet me njërën korsi, përkohësisht të bllokuar për një gjatësi prej 500m, sipas skemave të miratuara të menaxhimit të trafikut në bashkëpunim me Policinë Rrugore. Njëra korsi lëvizjeje do të jetë e lirë për drejtuesit e mjeteve dhe tjetra do të jetë përkohësisht e bllokuar në një gjatësi prej 500m. Me përfundimin e punës në këtë gjatësi, bllokimi do të spostohet në 500m të tjerë për vijimin e punës. Me qëllim shmangien e aksidenteve, udhëzojmë drejtuesit e mjeteve, të zbatojnë sinjalistikën rrugore të vendosur në objekt. Kërkojmë mirëkuptimin e përdoruesve të rrugës dhe drejtuesve të mjeteve për këtë ndërhyrje që do të kryhet” njoftoi ARRSH.

Ndërkohë më herët ARRSH ka çelur procedurat e prokurimit për disa akse të rëndësishme ku ndër të tjera bën pjesë edhe zgjerimi i Tiranë-Durrës. Në fillim të prillit u çelën disa procedura me fond limit 120 milionë euro ku bënte pjesë zgjerimi i superstradës Tiranë-Durrës, rikonstruksion i rrugës së vjetër Kombinat – Ndroq – Plepa, Loti 1” me një fond limit 754 milionë lekë. Po kështu ishte zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë që aktualisht është duke u punuar në lotet 1-4 teksa tashmë janë hapur procedurat për lotin 5 me një fond limit 2.49 miliardë lekë, loti 6 me fond limit 2.48 miliardë lekë, loti 7 me fond limit 2.47 miliardë lekë dhe loti 8 me 2.49 miliardë lekë. Një tjetër projekt është ai për rrugën Berat-Ballaban loti i parë me një fond limit 1.9 miliardë lekësh dhe loti i dytë me një fond limit 2.25 miliardë lekë. Projekti i fundit shtrihet në Jug të vendit dhe lidhet me zgjerimin e rrugës së Ksamilit për të cilin është parashikuar një fond limit 1.66 miliard lekë.